Edhe Superliga e futbollit të femrave bëhet me sponsor
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Superliga e Femrave në futboll është bërë më sponsor. Federata e Futbollit e Kosovës, sot, ka nënshkruar edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi tejet me rëndësi.
Kompania e sigurimeve “Sigal Uniqua Group Austria”, e cila tash e një kohë është partnere e FFK-së, do të jetë zyrtarisht sponsor gjeneral i Superligës së femrave në futbollin kosovar dhe nga sot e tutje kjo ligë do të emërtohet Sigal Superliga e femrave.
“Marrëveshjen e sponsorizimit e nënshkruan presidenti Agim Ademit dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë Sigal Uniqa Group Austria, Avni Ponari. Futbolli i femrave është një nga prioritetet kryesore të këtij katërvjeçari të presidentit Ademi, andaj do të punohet në vazhdimësi për krijimin e kushteve sa më të mira dhe përkrahja dhe përkushtimi nuk do të mungojë. Nga ana tjetër edhe drejtori i Sigal-it, Avni Ponari u shpreh i lumtur për mundësinë e bashkëpunimit me FFK-në dhe për kontributin që kjo kompani do ta jep në zhvillimin e futbollit të femrave në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.























