Nesër derbi i zjarrtë Drita-Gjilani, kjo është deklarata e Nuhiut
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Derbi më i zjarrtë në vendin tonë, Drita-Gjilani vjen nesër pasdite.
Dy rivalët e përbetuar do të përballen në Gjilan, në kuadër të javës së shtatë të elitës së futbollit tonë.
Trajneri i skuadrës bardhekaltër, Ardian Nuhiu në konferencën për media, tha se e njeh mirë kundërshtarin e nesërm. Ai kërkon nga të përzgjedhurit e tij, të tregojnë karakter të fortë, përqenderim dhe përgjegjësi.
“Na pret një ndeshje speciale për ne dhe tifozët tanë, të cilën duhet ta luajmë me përqendrim dhe përgjegjësi. Skuadrën kundërshtare e njohim mirë, ata kanë një ecuri të mirë dhe cilësi. Më gëzon forma e mirë e skuadrës tonë, ku përveç në aspektin ekipor edhe në atë individual, ku të gjithë futbollistët dalëngadalë po marrin formën e tyre optimale. Secili po e njeh bashkëlojtarin dhe po përformojmë jashtëzakonisht mirë. Neve na mbetet që me shumë autoritet dhe përgjegjësi të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të shfrytëzojmë potencialin tonë të dalim sa më mirë nga kjo ndeshje”, tha ai.
“Nesër e dijmë që derbi do të zhvillohet pa tifozë, por jam i bindur se ata nuk do të mungojnë dhe do ta mbështesin skuadrën kudo që e ndjekin lojën”, ka thënë trajneri shkupjan.
Derbi mes Dritës dhe Gjilanit nis në orën 15:00.























