15 futbolliste kërkojnë largimin e trajnerit
Rtklive
Sport

15 futbolliste kërkojnë largimin e trajnerit

RTSH

Federata e Futbollit të Spanjës (RFEF) ka konfirmuar se janë plot 15 futbolliste  kanë dërguar asaj “e-mail”-e duke kërkuar shkarkimin e trajnerit të përfaqësueses së “topkëmbës” së Spanjës, Horge Vilda.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, brenda këtyre “e-mail”-eve kishte deklarata që vinin për shkak të gjendjes së tyre të rënduar emocionale, që, nëse Vilda dhe stafi i tij nuk largohen, ato do të largohen nga përfaqësuesja e Spanjës.

Por organizimi që qeveris futbollin spanjoll ka reaguar ashpër ndaj një ultimatumi të tillë.

“RFEF-ja nuk do të lejojë lojtaret të vënë në dyshim vazhdimësinë e trajnerit të ekipit tonë përfaqësues dhe stafit të tij”, - thuhet në komunikatën e federatës.

Deklarata më tej ishte e gjatë dhe e fortë për lojtaret, duke mos treguar asnjë shenjë për të marrë parasysh mendimin e tyre.

“Kjo situatë ka kaluar nga një çështje sportive në një çështje dinjiteti, - thuhet më tej në deklaratën e Federatës, që vijon: “Përfaqësuesja nuk është diçka që shtrohet për diskutim. Futbollistet që kanë paraqitur tërheqjen e tyre do të kthehen në kombëtare në të ardhmen vetëm nëse pranojnë gabimin e tyre dhe kërkojnë falje”.

Në fakt, më herët është raportuar se futbollistet e Spanjës i kishin kërkuar personalisht trajnerit Vilda që të largohej nga pozita e tij, kërkesë që ai e refuzoi.

Përtej mbështetjes që ka marrë nga ana e Federatës, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me trajnerin, por edhe përfaqësuesen e futbollit të femrave të Spanjës. 


MË SHUME NGA Sport