Krasniqi i kërkon Kurtit zgjidhje për kthimin e fëmijëve në shkolla
Foto: RTK
Lajme

Krasniqi i kërkon Kurtit zgjidhje për kthimin e fëmijëve në shkolla

E.Hoti/RTKlive

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të gjejë zgjidhje për grevën e mësimdhënësve.

Në një postim në Facebook, ai ka reaguar pasi kryeministri Kurti i ndërlidhi krerët e sindikalistëve me ish koalicionin PAN.

“Shkollat i mbylli për nxënës, por i hapi për zgjedhje të Vetëvendosjes, sepse për Albin Kurtin, karriget e pushtetit janë më të rëndësishme se karriget e nxënësve tanë që po vazhdojnë të mbesin të mbyllur nëpër shtëpi, për shkak të arrogancës së tij.

E kam thënë edhe në Kuvend se Kryeministri merret me armiq imagjinarë e jo me probleme të qytetarëve. Në krizën më të madhe të arsimit që nga vitet e '90-ta, Kryeministri ushqen fantazitë e tij, larg brengave dhe problemeve që po rriten çdo ditë në Kosovë. Tamam si një Don Kishot që lufton me mullinjtë e erës.

Tash, e paska quajtur SBASHK-un sindikatë të PAN-it. Cilit PAN?! Nuk ka PAN. Ka grevë! SBASHK-u nuk po tregohet partner fleksibil, por gatishmëria që fëmijët të vuajnë, vetëm e vetëm që Albin Kurti të quhet i “pathyeshëm” nga militantët e tij, është mentalitet diktatorial”, ka shkruar Krasniqi .

Krasniqi ka thënë se sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate.

“Unë, besoj se qytetarët nuk kanë votuar që të kenë një Kryeministër i cili e lë popullin pa arsim e fëmijët pa shkollim.

 Jam i bindur se qytetarët nuk kanë votuar që sot të përballen me këtë mentalitet dhe tendencë të Kryeministrit për t’i nënshtruar të gjithë.

Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për zgjidhje konkrete të problemeve, jo për fjalë të thata e inate. Ka nevojë për lidership që e ruan dinjitetin e secilit qytetar e jo për lider që krijon ndasi edhe më të mëdha në shoqëri”, ka shkruar ai.

“Lëviz nga vendi, Kryeministër! Ofro zgjidhje! Ktheji fëmijët në shkolla!”, ka shkruar tutje Krasniqi.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme