Infantino: Kosova vend atraktiv, vend i bekuar për talentët
Sport

Infantino: Kosova vend atraktiv, vend i bekuar për talentët

Fatmir Bytyqi /RTKlive

(E plotësuar) Pas takimeve të shumta që ka zhvilluar sot kreu i FIFA-së, Gianni Infantino në vizitën e parë në Kosovë, i shoqëruar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi dhe kreu i FSHF-së, Armando Duka, ka folur në konferencën për media.

Njeriu i parë i futbollit në botë, u shpreh i lumtur që gjendet në Kosovës, teksa tha se është i gëzuar që bashkëpunon me vendin tonë.

“Kosova sigurisht që është vend atraktiv, por ndër të tjera është e bekuar për talentët që ka, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ne po i shohim ata se si luajnë në Evropë”, tha Infantino.

Ministri Çeku zbulon marrëveshjen me Infantinon

(E plotësuar) Presidenti i FIFA-s,  Gianni Infantino ka vizituar sot Kosovën, ku edhe ka zhvilluar disa vizita te krerët më të lartë të institucioneve te vendit.

Gjatë agjendës së tij, Infantino u takua edhe ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çekun.

Çeku tregoi se ishte nder i veçantë ta priste Infantinon në kabinetin e tij, ku qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për një vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës.

“Nder i veçantë që sot të pres në kabinetin tim Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Me Infantinon dhe ekipin e tij, përfshirë legjendën e futbollit, Youri Djorkaeff, ndamë mendime dhe vizion të përbashkët për të ardhmen e futbollit të Kosovës. Me qëllim të kultivimit të pasionit dhe talentit të natyrshëm të të rinjve tanë në futboll, zhvilluam diskutim produktiv me fokus të veçantë në infrastrukturën fizike të sportit të futbollit dhe përfshirjen e futbollit në sistemin arsimor të Kosovës”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.

Po ashtu, Çeku zbuloi se së bashku me Infantinon kanë arritur një akord, lajm ky që është i mirë për programin tonë shtetëror “Sporti në Shkolla”.

“Përveç diskutimit, u dakorduam që të ndërmarrim hapa të menjëhershëm për konkretizim të bashkëpunimit në integrimin dhe adaptimin e modelit të programit të FIFA-së “Futbolli në Shkolla” në programin tonë shtetëror ‘Sporti në Shkolla’.

Rruga që duhet të ndjekim për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sportit të futbollit është bashkëpunimi dhe ndërveprimi i thellë ndërmjet organizatave sportive vendore dhe ndërkombëtare dhe institucioneve relevante të sportit”, shkruante më tej Çeku.

Rama i dorëzon Infantino-s “Çelësin e Kryeqytetit”

(E plotësuar) Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka vazhduar takimet zyrtare gjatë vizitës së tij të parë në vendin tonë.

Pas takimeve me presidentin Agim Ademi dhe KE të FFK-së, si dhe me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, kreu i FIFA-s është pritur edhe nga ministri i Sportit, Hajrulla Çeku si dhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Ky i fundit ia ka dorëzuar presidentit Infantino “Çelësin e Kryeqytetit”.

Kryeministri Kurti takon Infantinon

(E plotësuar) Pas vizitës në Presidencën e Republikës së Kosovës, kreu i FIFA-s, Gianni Infantino është pritur nga Kryeministri Albin Kurti.Edhe në takimin me kreun e ekzekutivit, i pari i futbollit botëror, ka qenë i shoqëruar nga presidenti Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini, si dhe delegacioni i FIFA-s, Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit. 

Qeveria ka njoftuar për takimin. 
"Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe rolin që sporti luan në shoqërinë tonë, duke thënë se futbolli na bashkon sot, ashtu siç na ka bashkuar edhe në kohët më të vështira. Në takim u ritheksua përkushtimi i Qeverisë për sigurimin e kushteve, infrastrukturës ligjore dhe fizike, si dhe mbështetjes maksimale financiare për zhvillim të sportit në vendin tonë. U bisedua për ngritjen e kapaciteteve profesionale me qëllim të mbajtjes së talentit vendor brenda Kosovës me fokus te gjeneratat e reja, dhe konsolidimi i infrastrukturës fizike sportive për sportin e futbollit. Po ashtu, u veçua potenciali i sportistëve të mërgatës dhe rezultatet e tyre në arenën ndërkombëtare. U tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e hapur për bashkëpunim me të gjitha strukturat sportive ndërkombëtare dhe vendore për të siguruar zhvillimin e futbollit vendor në përputhje me zhvillimet më të reja të sportit global", ka shkruar qeveria.

Presidentja Osmani takon të parin e FIFA-s, ja çfarë biseduan

(E plotësuar) Pas homazheve të shtatorja e legjendës së futbollit tonë, Fadil Vokrrit, kreu i FIFA-s Gianni Infantino është pritur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e vendit tonë ka pritur në takim numrin një të FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ishte i shoqëruar nga presidenti Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe presidenti i FFM-së, Muamet Sejdini.

Në delegacion me Infantinon janë edhe Mattias Grafstrom, zv/sekretar i përgjithshëm i FIFA-s, Alasdair Bell, zv.sekretari i përgjithshëm i administratës së FIFA-s, Youri Djorkaeff, këshilltar i lartë i futbollit dhe Federico Raviglione, menaxher i zyrës së presidentit Infantino.

Presidentja e vendit tonë, ka falënderuar të parin e FIFA-së, për punën që ka bërë në procesin e pranimit të Kosovës në shtëpinë më të madh të futbollit në planet.

Presidentja ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA.

“Kosova është anëtarja e 210-të e FIFA-s, për të cilën gjë Presidentja Osmani e ka falënderuar presidentin Infantino, ngase që në Kuvendin e parë të kësaj organizate, prej kur ai mori drejtimin e kësaj organizate, e vendosi në agjendë pranimin e Kosovës në shtëpinë e madhe të futbollit. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Fadil Vokrrit për pranimin në UEFA dhe FIFA”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, “Kosova tashmë është anëtare e FIFA-s, porse ka nevojë për ndihmë në aspektin infrastrukturor sportiv, duke përmendur këtu stadiumet e reja të nevojshme për sportistët kosovarë”.

“Në takim me presidentin Infantino, Presidentja Osmani ka diskutuar mundësitë për stadiume të reja si dhe për projekte të tjera investuese në infrastrukturën sportive. Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e FIFA-s për sportistët e rinj të Kosovë dhe përmendur klubin e vajzave të vogla në futboll, të cilat sipas saj kanë nevojë për infrastrukturë të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e ekipeve kosovare në garat ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Infantino homazhe të shtatorja e legjendës, Fadil Vokrri |Video

(E plotësuar) Presidenti FIFA-së, Gianni Infantino vizitën në Kosovë, e ka nisur me homazhe tek shtatorja e Legjendës, Fadil Vokrri.

 

Numri një i futbollit në botë, i shoqëruar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi dhe kreu i FSHF-së, ka bërë homazhe të legjenda e futbollit tonë, Fadil Vokrri.

Infantino arrin në Kosovë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka arritur në Kosovë.

I pari i futbollit botëror është pritur në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi me bashkëpunëtorë.

Kjo është vizita e parë që presidenti i FIFA-s i bën Kosovës.

Sipas njoftimit të FFK-së, Infantino krahas takimeve me drejtuesit e FFK-së dhe me komunitetin e futbollit, do të ketë takime edhe me krerët e institucioneve shtetërore.

“Ai ka ardhur në vendin tonë me ftesë të presidentit Agim Ademi, teksa krahas takimeve me drejtuesit e FFK-së dhe me komunitetin e futbollit, do të ketë takime edhe me krerët e institucioneve shtetërore. Infantino vjen në Kosovë për të parë nga afër progresin e bërë në futbollin kosovar, falë projekteve dhe programeve të përbashkëta me FIFA-n, por edhe për t’i dhënë shtysë investimeve të reja në vendin tonë, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për zhvillimin e futbollit në të ardhmen. Numri një i futbollit botëror do të mirëpritet edhe nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani Sadriu, kryeministri Albin Kurti, ministri i sportit, Hajrulla Çeku dhe nga kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama”, thuhet në njoftimin e FFK-së.


MË SHUME NGA Sport