Ballkani mund Gjilani, flasin Daja dhe Ramadani
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Kampioni i Kosovës në fuqi, Ballkani e ka mposhtur Gjilanin, me rezultat 2-0, sot në Suharekë, duke bërë edhe një hap të madh në garën për kreun e tabelës.
Ilir Daja, trajner i Ballkanit, skuadër kjo që po përfaqëson Kosovën në garat e Ligës së Konferencës, është shprehur i lumtur me fitoren kundër gjilanasve.
Ai ka folur edhe për sfidën e të enjtes kundër Sivassporit, ndeshje kjo që do të luhet në Turqi.
“Kishim përballë një ekip që ka bërë mirë në fazën e parë. Kur fitorja vjen me një ekip të fortë sigurisht se jam më i kënaqur. Të jemi të sinqertë nesër do nisim përgatitjet për në Turqi (ndaj Sivassporit). Edhe atje kemi mungesë. Kemi mungesë të Astrit Thaçit dhe Kuç që mendoj se e ka të vështirë të rikuperohet”, tha Daja pas fitores kundër Gjilanit.
Ndërkaq, trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani mendon se skuadra e tij, pësoi golin në momentin më të keq të ndeshjes. Sipas Ramadanit, skuadra po kalon periudhë të vështirë.
“Përgatitëm mirë ekipin ndaj një super skuadre si Ballkani. Në momentin më të keq pranuam golin e parë. Nuk mund të përshkruajë atmosferën e ekipit gjatë pushimit. Rrezikuam më tepër, nuk arritëm të shënojmë. Është meritë e Ballkanit. Gjithsesi në bazë të angazhimit dhe situatës jam i kënaqur me ekipin. Është humbja e tretë radhazi. Kjo është situata momentale. Gjatë pushimit patëm një atmosferë të rëndë. Në fillim nuk ishim të kënaqur. Por me atë që po përballemi ne, jemi duke e dhënë maksimumin nga ekipi dhe mundohemi të nxjerrim më të mirë nga futbollistët. Nuk duhet të jemi të kënaqur por është një periudhë e vështirë”, theksoi Ramadani.
Pas kësaj ndeshje, Ballkani ngjitët në pozitën e dytë me 18 pikë, vetëm tri pikë larg liderit të tabelës, Dritës, kurse Gjilani ka 14 pikë në pozitën e tretë.























