Këndellet Dukagjini, e mposht edhe Prishtinën në “Fadil Vokrri”
B. Halimi / RTKlive
Skuadra e Dukagjinit përfundimisht është këndellur pas atij starti të dobët të kampionatit.
Pas fitores kundër Ferizajt, skuadra nga Klina ka shënuar fitore si mysafire ndaj Prishtinës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, me rezultat 1:0, në kuadër të javës së 10-të në Superligë. Fituesin e kësaj ndeshje e vendosi goli i Iljasa Zylfiut, në minutën e 17-të. Për skuadrën e drejtuar nga Armend Dallku kjo ishte fitorja e dytë radhazi, pas një serie prej 6 humbjesh e 2 barazimesh. Prishtina në minutën e 87-të mbeti pa kapitenin Gledi Mici, që u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë, teksa Dukagjini pati mundësi për ta shtuar epërsinë në kohën shtesë, por gjuajtjen e Elton Basriut e ndali portieri Ardit Nika. Në javën e ardhshme Prishtina sërish luan si vendase dhe përballet me Ferizajn, kurse Dukagjini luan në shtëpi ndaj Dritës.























