Ademi pas shortit: Ndeshjet me Zvicrën emocionuese
Uran Krasniqi/RTKLive
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se ndeshjet e Kosovës me Zvicrën në kuadër të fushatës kualifikuese për Euro 2024 do të jenë emocionuese.
Ai ka komentuar shortin ku Kosova pos Zvicrës ka në grup edhe Izraelin, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorën.
"Pas shortit me presidentin e Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc. Përballjet Kosovë-Zvicër në kualifikimet për Euro 2024, do të jenë sa emocionuese, po aq të mirëpritura nga qytetarët e të dyja vendeve tona. Kjo për shkak të lidhjes së ngushtë që dy vendet dhe popujt tanë kanë krijuar tash e disa dekada. I uruam fat njëri-tjetrit në këtë cikël kualifikues dhe që së bashku ta sigurojmë pjesëmarrjen në Euro 2024. Me këtë rast ftoj bashkatdhetarët tanë jo vetëm në Zvicër, por kudo në Evropë që të jenë në numër sa më të madh në përkrahje të Kosovës dhe së bashku ta bëjmë ëndrrën realitet", ka shkruar Ademi në Facebook.























