FIA: Red Bull dhe Aston Martin, fajtorë
BKT
Sport

FIA: Red Bull dhe Aston Martin, fajtorë

RTSH

Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) e ka gjetur skuadrën e “Red Bull”-it në shkelje të kufirit të lejuar prej 145 milionë dollarëve të shpenzimeve për vitin 2021, duke sqaruar se kjo është një “shkelje e lehtë”, që është një nga dy kategoritë e shkeljeve.

Çdo skuadër që vërtetohet e ka shkelur me më pak se 5 %, apo 7 milionë dollarë kufirin e vënë për vitin 2021, do të cilësohej se kishte kryer një shkelje të lehtë dhe do të ndëshkohej me masa që luhaten nga tërheqje vërejtjeje e deri me heqje pikësh.

Por një shkelje përtej 5% cilësohet si dëm material dhe mund të ndëshkohet me përjashtim nga Botërori, ulje pikësh, reduktimi të kufirit të shpenzimeve apo kufizim të testimeve. Si skuadra e “Red Bull”-it, ashtu edhe ajo e “Aston Martin”-it u vërtetuan si fajtore për shkeljen e kufirit të shpenzimeve. FIA nuk e ka bërë të ditur shumën e saktë me të cilën skuadra austriake e ka shkelur kufirin e lejuar apo se me çfarë masash do të ndëshkohet, duke u mjaftuar të deklaronte se, “hëpërhë, po përcaktonte se çfarë vendimi do të merrte”.

Të dyja skuadrat do të kenë të drejtën e apelimit të vendimit. Si skuadra e “Red Bull”-it, edhe ajo e “Aston Martin”-it e patën mohuar shkeljen kufirit prej 145 milionë dollarëve vitin e shkuar, ndërsa skuadrat rivale, sidomos “Ferrari” dhe “Mercedes”-i kanë bërë thirrje për ndëshkime të ashpra nëse kjo vërtetohet. “Red Bull”-i është shprehur, në një deklaratë të shkurtër për shtyp, i zhgënjyer me përfundimet e nxjerra nga FIA. Kreu i “Ferrari”-t, Matia Binoto, deklaroi se edhe një “shkelje e lehtë”, ishte një shkelje serioze, duke e ilustruar madje edhe ndikimin që tejkalimi i shpenzimeve ka në rezultatet e makinave.

“Nëse ka patur shkelje, ndëshkimi duhet të jetë domethënës”, - ka deklaruar italiani, duke vijuar: “Makinat tona janë zhvilluar duke respektuar kufirin e buxhetit dhe ne e dimë se si, edhe një shkelje e vogël mund të ndikojë në rezultate. 5 milionë dollarë më tepër përkthehet në një makinë gjysmë sekonde më të shpejtë, 1-2 milionë dollarë më tepër një apo dy të dhjetat e sekondës, dhe kjo mund të jetë dallimi midis nisjes nga vendi i dytë dhe nga vendi i parë.

Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për 2021-shin. Prandaj pres transparencë të plotë mbi këtë çështje.” Transparencë për të gjithë procesin, por edhe vendimin që do të merret ka kërkuar edhe kreu i skuadrës së “Mercedes”-it në Formula 1, Toto Volf.