Daja para sfidës me Sivasspor-in: Do ta kemi më të vështirë se sa në Turqi
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Ballkani nesër mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ përballet me Sivasspor-in, në sfidën kthyese të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, sfidë kjo që luhet në kuadër të xhiros së katërt në Grupin G të Ligës së Konferencës.
Trajneri i kampionëve të Kosovës, Ilir Daja në konferencën për media, një ditë para sfidës kthyese më skuadrën turke, ka thënë se dueli i nesërme do të jetë më i vështirë se sa në Turqi.
“Presim të jetë një ndeshje akoma më e vështirë sesa në Turqi. Ata vijnë nga një fitore si vendas në kampionat. Ata kërkojnë revanshin ndaj nesh. Neve na bën më të fortë për shkak të se Sivasspori dhe ekipet tjera në grup kanë më shumë eksperiencë”, tha Daja.
Strategu shqiptar thotë se skuadra e tij është gati për duelin e nesërme. Daja thekson se me përkrahjen e madhe të tifozëve nga e gjithë Kosova, të përzgjedhurit e tij, do ta kenë me lehtë në duel me skuadrën nga Sivas.
“Me mbështetjen e gjithë tifozëve nga Kosova dhe tifozerisë suharekase do të bëhet më e lehtë. Mbushja e stadiumit rrit pritshmërit që kanë tifozët. Përgjegjësia për ne tanimë është edhe më e madhe. Jemi të gjitha skuadrat me nga katër pikë, kjo tregon se nuk ka ndeshje të lehtë. Ne jemi gati, por ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë më shumë sesa në Turqi për të marrë më të mirën”, theksoi Daja.
Kujtojmë se Ballkani zë vendin e parë me katër pikë, po aq sa kanë edhe Sivasspori, Slavia Praha dhe Cluji.
Ndeshja Ballkani-Sivasspor nis në orën 21:00.























