Liderët e Luginës në takim me Abdixhikun
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Liderët institucional e politik shqiptar të Luginës ishin në Kosovë. Ata i ka pritur në takim kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku bashkë me nënkryetarin Lutfi Haziri.
Qëllimi i këtij takimi sipas LDK-së ishte thellimi i bashkëpunimit dhe unifikimit të qëndrimeve për realizimin e të drejtave të shqiptarëve etnik të kësaj ane.
Në këtë takim ku nikoqir ishte kreu i LDK-së të pranishëm ishin kryetari i PVD-së, njëherësh deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetari i PD-së, Nagip Arifi, kryetari i APN-së, njëherësh kryetar i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kryetari i LPD-së, Shqiprim Musliu, kryetari i KKSH-së, Ragmi Mustafi, kryetari i AFEDS-it, Muharrem Salihu, kryetari i VATRA-s, Kushtrim Kadriu dhe kryetari i LR-PDSH-së, njëherësh Kryetar i Kuvendit Komunal në Preshevë, Sami Salihu.
Siç bëhet e ditur gjatë këtij takimi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se koordinimi me partitë politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë është detyrë që duhet ta përmbushin të gjithë.
“LDK-ja është e përkushtuar në ndërtimin e frymës unifikuese për mbështetje të shqiptarëve etnik në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për realizimin e të drejtave të tyre”, ka thënë në takim Abdixhiku.

Tutje sipas njoftimit, kreu i LDK-së ka nënvizuar rëndësinë që ka procesi i regjistrimit të popullsisë që po zhvillohet në Serbi, për çka u ka bërë thirrje shqiptarëve kudo që ndodhen t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim.
“Pasqyrimi i saktë dhe i drejtë i numrit të shqiptarëve etnik në këto anë është i domosdoshëm”, ka thënë kreu i LDK-së.
Sipas tij rezultati i këtij procesi ka ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e të drejtave kolektive e kombëtare si dhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe zhvillimit të përgjithshëm të asaj zone shqiptare.
Tutje kryetari i LDK-së siç bëhet e ditur u ka thënë mysafirëve nga Lugina se partia që ai drejton angazhohet fuqishëm për të drejtat civile dhe politike të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e më gjerë, me theks të veçantë për njohjen e shtetësisë së tyre si banorë në Republikën e Kosovës























