Monopoli i dyshes Messi-Ronaldo po perëndon, "Topin e Artë" e merr Benzema
BKT
Sport

Monopoli i dyshes Messi-Ronaldo po perëndon, "Topin e Artë" e merr Benzema

Uran Krasniqi/RTKLive

Është dhënë "Topi i Artë" dhe marrësi nuk është Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo. Monopoli i dy emrave duket se po perëndon. Fituesi i ri është Karim Benzema. 

Ai ka fituar votat e gazetarëve të botës sonte në Paris. 

Sadio Mane ishte në vendin e dytë, Kevin De Bruyne në të tretin, Robert Lewandowski në të katërtin dhe Mohamed Salah në të pestin. 

Gjithashtu sonte janë ndarë edhe çmime të tjera. 
Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka fituar "Yashin Trophy", duke u shpallur portieri më i mirë.
Çmimin "Gerd Muller Trophy" si sulmuesi më i mirë e ka fituar Robert Lewandowski. 
“Kopa Trophy” është një çmim që ndahet për lojtarin më të mirë të ri nën 21 vjeç dhe atë e ka fituar Gavi. 

Sadio Manes i është ndarë çmimi “Socrates” pasi futbollisti i Bayern Munich ka ndihmuar vendlindjen e tij, senegalin, duke financuar ndërtimin e shkollave dhe spitaleve.
Çmimi i “Klubit të Vitit” ka shkuar për Manchester City. 
"Topi i Artë" është çmimi më i madh individual për një futbollist dhe ai jepet nga prestigjiozja franceze "France Football".