Nesër Ballkani-Slavia Pragë, flasin Daja e Potoku
BKT
Sport

Nesër Ballkani-Slavia Pragë, flasin Daja e Potoku

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Ballkani nesër mbrëma luan njërën ndër sfidat më të vështira të këtij sezoni në Ligën e Konferencës.

Kampioni i Kosovës në ‘Fadil Vokrri’ sfidon Slavia Pragë, në kuadër të rrethit të pestë në fazën e grupeve të kësaj ligë evropiane.

Trajneri i Ilir Daja dhe futbollisti Arbër Potoku, një ditë para duelit me skuadrën nga Praga kanë folur në një konferencën për media.

Tekniku shqiptar e pranon se ndeshja e nesërme është më e vështira, sepse sipas tij, Ballkani luan kundër skuadrës më të fortë në grup.

“Nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj ekipit më të fortë të grupit. Slavia ka qenë favoritja kryesore për t’u kualifikuar”, tha ai.

Daja thotë se të përzgjedhurit e tij do të japin maksimumin në duel me Slavinë, ashtu siç kanë bërë në çdo ndeshje. Madje, strategu shqiptar mendon se Ballkani është bërë si një kombëtare mbarëshqiptare.

“Në çdo ndeshje kemi hyrë me maksimumin e motivimit, sidomos në Prishtinë. Jemi bërë si Kombëtarja e dytë apo Kombëtarja mbarëshqiptare. Nuk jemi në formën tonë më të mirë, por kjo nuk do të thotë që do të futemi në fushë të dorëzuar, thjesht ky është realiteti. Unë nuk nisem nga tabela, pasi i kam parë të gjithë ndeshjet e kundërshtarëve. I kemi analizuar. Slavia është ekipi më i fortë me të cilin përballemi. Nuk po justifikohemi, thjesht duam t’u tregojmë të gjithëve gjendjen tonë përpara këtij takimi. Duhet të na mbështetin për të bërë një çmenduri tjetër të radhës”, theksoi Daja.

Ndërkaq, mbrojtësi Arbër Potoku tha se është “nder dhe krenari” pjesëmarrja në këtë garë.

“Është një ndjenjë e papërshkrueshme arritja në grupet e Ligës së Konferencës, është përvojë e jashtëzakonshme, krenari dhe nder ta përfaqësosh Kosovën në këtë garë”, tha Potoku.

Ndeshja Ballkani-Slavia Pragë luhet nesër dhe nis në orën 21:00.