Pasardhësi i familjes Jashari po pret rastin për t`u dëshmuar te Prishtina
Uran Krasniqi/RTKLive
Igball Jashari, një nga anëtarët e rinj të familjes Jashari nga Prekazi, që më 1998 u sakrifikua për Kosoven, po pret sot rastin që të bartë fanellën e klubit të Prishtinës në futboll.
Ai në një intervistë për faqen zyrtare të klubit tonë, FC Prishtina, ka folur për synimet e tij.
"Si çdo lojtar ambicioz edhe unë pres momentin tim për të debutuar me ekipin e parë pasi që për këtë punoj dhe angazhohem tej mase. Besoj që gatishmërinë e kam dhe mendoj që mund t'i ndihmoj ekipit dhe normalisht të mësoj edhe nga lojtarët më me përvojë në ekipin e parë", ka thënë Jashari. "Unë dhe shokët e mi jemi tejet mirënjohës ndaj trajnerit Munishi që na jep mundësinë neve lojtarëve të rinj dhe e kemi për obligim ta shpaguajmë besimin e tij me rezultate, disiplinë dhe përkushtim maksimal".
Ai ka thënë se ndihet mjaft krenar si pasardhës i familjes Jashari. "Gjithashtu ndihem krenar që e mbaj emrin e xhaxhit tim Igball, por në të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe", ka thënë ai.
Jashari para si t’i bashkohet Prishtinës, ka qene pjesë e Shkollës së Futbollit "Kurda" si dhe ekipin KF Drenica. Ai është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-19 ndërkohë më herët ka qenë kapiten te Kosova U-17.























