Reja para ndeshjes me Katarin: Miqësoret i konsideroj si ndeshje zyrtare
BKT
Sport

Reja para ndeshjes me Katarin: Miqësoret i konsideroj si ndeshje zyrtare

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka thënë se ndaj Katarit lojtarët duhet të bëjnë një paraqitje të mirë dhe kanë një rast për të treguar vlerat e tyre.

Reja ka folur këtë të shtunë në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes miqësore me Katarin, që do të luhet më 9 nëntor në Spanjë. 

"Miqësoret i konsideroj si ndeshje zyrtare, i konsideroj si të rëndësishme dhe pres të shoh rritje nga skuadra ndaj Italisë dhe Armenisë. Por për mua është e rëndësishme edhe miqësorja kundër Katarit sepse luan Kombëtarja shqiptare, lojtarët duhet të bëjnë një paraqitje të mirë dhe kanë një rast për të treguar vlerat e tyre dhe për të na bërë krenarë të gjithëve. E njëjta gjë vlen edhe për ndeshjen kundër Italisë, ku kuptohet që motivimi është diçka tjetër, të gjithë duan të luajnë dhe do të bëjnë maksimumin sepse kuptohet që do të luajmë ndaj një kundërshtari me nivel më të lartë. Për mua është e rëndësishme të tregojmë vlerat tona dhe i vetmi merak që kam është mentaliteti dhe nuk duhet të tregohemi ‘mendjemëdhenj’ me veprimet tona në fushë, sepse ky është aspekti i vetëm që kam parë te Kombëtarja shqiptare", ka thënë trajneri italian. "Kjo duhet rregulluar pasi të tjerat mund të rregullohen".

Ai është ndaulur konkretisht te ndeshja me Katarin. "Duhet të them se do të jetë një test shumë i rëndësishëm edhe për ne që të bëjmë një vlerësim për këta lojtarë që janë këtu. Disa prej tyre kanë treguar cilësi shumë të mira ndaj Arabisë Saudite dhe unë uroj që të vazhdojnë të përmirësohen në raport me atë që kemi treguar ndaj sauditëve. Ky është një test i rëndësishëm dhe do të bëjmë padiskutim vlerësime në fund të grumbullimit", ka thënë Reja. "Shpresoj shumë që disa prej tyre të më japin garanci dhe të kem mundësi që t’i grumbulloj për ndeshjet e ardhshme në skuadër".