Kallaku e Hakaj kërkojnë rezultat pozitiv në miqësoren kundër Katarit
BKT
Sport

Kallaku e Hakaj kërkojnë rezultat pozitiv në miqësoren kundër Katarit

rtsh

Kombëtarja shqiptare, gati për miqësoren me Katarin që do të luhet sonte në mbrëmje në Marbella të Spanjës duke nisur nga ora 18:30.

Dhe që do të jetë me dyer të mbyllura për mediat. Ashtu si në ndeshjen me Arabinë Saudite, edhe sfida me Katarin nuk do të transmetohet në TV.

Mesfushori Sherif Kallaku, duke folur për Fshf.org nga Marbella, shpreson shumë në një rezultat pozitiv në këtë miqësore.

“Jam shumë i lumtur për rikthimin tim në Kombëtare. Ky në fakt është grumbullimi i dytë i Kombëtares që është bërë me lojtarë kryesisht nga Abissnet Superiore. Atmosfera është shumë e mirë dhe për fat të mirë të gjithë lojtarët njihen me njëri-tjetrin dhe ambientimi në grup është shumë i lehtë. Uroj shumë që të marrim një rezultat pozitiv në këtë miqësore të radhës. Normalisht është një test shumë i mirë për ne, sepse nuk duhet ta shohim si një ndeshje miqësore, por si një ndeshje të vërtetë e zyrtare e që do të na japë mundësi të na tregojë se ku jemi, sidomos për ne lojtarët e kampionatit shqiptar. Shpresoj shumë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë”, tha Sherif Kallaku.

Në të njëjtën linjë edhe  Esin Hakaj, i cili e sheh këtë miqësore si një mundësi për të treguar potencialin e tij.

 “Sigurisht ndihem mirë kur të thërret Kombëtarja, është një ndjesi e mirë dhe çdo lojtar mezi e pret këtë ftesë. Atmosfera është shumë e mirë normalisht, do të mundohemi që të japim më të mirën në mënyrë që të kemi kënaqësinë të marrin sërish ftesën nga Kombëtarja A. Do të jetë një ndeshje që do ta shërbejë shumë të gjithëve, jam i bindur se do të bëjmë maksimumin. Grumbullimi në Kombëtaren A është diçka shumë pozitive për çdo lojtar nga kampionati shqiptar e që ka vlerë për karrierën dhe uroj që të na ndihmojë kjo ndeshje për të pasur edhe mundësi të tjera në të ardhmen me Kombëtaren”, tha Hakaj.