Shqipëria mundet nga Katari, vendos një penallti
RTSH
Kombëtarja kuqezi ka luajtur të mërkurën të parën e tri miqësoreve të planifikuara për muajin nëntor, teksa është përballur në Marbeja të Spanjës me Katarin.
Pjesa e parë ka qenë e baraspeshuar, me Shqipërinë që ka dy raste për të rrezikuar, me anë të Rrapajt, pas një goditjeje këndi, por që bllokohet nga mbrojtja, dhe Jankut, gjuajtja e të cilit pritet nga portieri. Katari i drejtuar nga trajneri Feliks Sançez reagon dhe ka një rast të pastër, por të shkuar dëm përballë portierit kuqezi, Dajsinani, ndërsa në minutën e 36-të, vjen një 11-metërsh i dhënë për përfaqësuesen e vendit arab, i shkaktuar nga Rrapaj, por që kuqezinjtë kanë protestuar, duke e cilësuar ndërhyrjen jashtë zone.
Sidoqoftë, Almoez Ali Abdulla ruan gjakftohtësinë dhe e dërgon topin në rrjetë. Kombëtarja është munduar të reagojë, me topa të gjatë pas shpinës së kundërshtarit për Abazajn dhe me Rrapajn mjaft aktiv, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës dhe pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të Katarit. Pjesa e dytë do të karakterizohet, sikundër edhe pritej, nga ndërrimet e shumta nga ana e të dy trajnerëve, teksa Reja ka ndërruar më tepër se gjysmën e lojtarëve, pra, 6, ndërsa edhe homologu i tij Sançez, nuk ka mbetur më prapa.
Kjo pjesë e dytë do të shohë kuqezinjtë të rrezikojnë me Turkajn, në minutën e 58-të, dhe të mbizotërojnë, ndërsa Katari rrezikon vetëm një moment me një gjuajtje në zonë, që përfundon jashtë. Herald Marku provon nga goditja e dënimit me topin që përfundon jashtë ngjitur me shtyllën, teksa Reja hedh në fushë Skukën dhe Ismajlgecin për Carën dhe Hakajn me kuqezinjtë që vazhdojnë të këmbëgulin dhe pikërisht Skuka i afrohet menjëherë golit ndonëse i pafat. Mbyllet kështu me një humbje minimale kjo miqësore e Shqipërisë me Katarin, ndërsa tanimë radhën e ka miqësorja e luksit me Italinë.























