Te Drita e Llapi flasin për ftesat e Kosovës për lojtarët e tyre
Uran Krasniqi/RTKLive
Kur trajneri i Kosovës, Alain Giresse, ka publikuar sot listën e lojtarëve të ftuar për miqësoret e këtij muaji, aty janë parë edhe emra të cilë luajnë në klubet e Superligës së Kosovës.
Ky fakt i ka nxitur të reagojnë Dritën e Gjilanit dhe Llapin.
"Futbollistët e DRITËS ftohen nga Kombëtarja e Kosovës
Mesfushori ynë, Muharrem Jashari do të jetë pjesë e Kombëtares A të Kosovës, pasi është ftuar nga përzgjedhësi Alain Giresse, për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor, Kosova - Armenia (16 nëntor, 2022) dhe Kosova - Ishujt Faroe (19 nëntor, 2022). Ndërsa, sulmuesi ynë Ardit Tahiri është ftuar nga Kosova U21, e cila në muajin nëntor do të mbajë një kamp stërvitor në Turqi, ku do të zhvillohë dy ndeshje miqësore me ekipe lokale në Turqi (18 dhe 21 nëntor). Kurse, Kombëtarja e Kosovës U19 do të marrë pjesë në “Kualifikimet për Kampionat Evropian U19-Edicioni 2023”, e ku është ftuar edhe futbollisti ynë që vjen nga Akademia e klubit, Eridon Maloku. Eridoni pritet të jetë pjesë e Kombëtares në ndeshjet kundër Ukrainës, Suedisë dhe Qipros (17,20 dhe 23 nëntor)", ka shkruar Drita.
"Klubi FC DRITA i dëshiron suksese dhe përfaqësim dinjitoz futbollistëve tanë, sikurse edhe Kombëtarës së Kosovës me të gjitha ekipet pjesëmarrëse".
Pë ftesat ka komentuar edhe klubi nga Podujeva.
"Jemi të kënaqur që krahas mesfushorit tonë Ilir Krasniqi, nga Kombëtarja e Kosovës ftesë kanë marrë edhe dy futbollistët që KF Llapi posedon përqindje në kartonët e tyre, Mirlind Daku dhe Valmir Veliu", ka shkruar Llapi. "Të lumtur që suksesi i tyre po vijon edhe pse nuk janë më pjesë e KF Llapi".























