Drenica mposht Prishtinën në ‘Fadil Vokrri’, Dukagjini mund Trepçën ‘89
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Drenica e ka mposhtur Prishtinën, me rezultat 0-1, të shtunën në ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit tonë.
Kuqezinjtë nga Skenderaj e kanë fituar duelin kundër rivalit të vjetër, Prishtinës, duke arkëtuar tri pikë mjaft të rëndësishme nga ky udhëtim.
Drenicasit e nisen mjaft mirë sfidën me prishtinasit pasi vetëm pas dy minutave lojë kaluan në epërsi përmes Ermal Veliqi, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesëlojën e dytë u zhvillua ndeshje mjaft e mirë, me Prishtinën që gjithnjë kërkonte rrugën e golit, megjithatë, Drenica mirë e kontrolloi lojën dhe në fund iu gëzua fitores.
Pas kësaj fitore, Drenica tani ka 20 pikë dhe ngjitët në pozitën e gjashtë, kurse, Prishtina ka tri pikë më shumë në vendin e katërt.
Tri pikë tejet të rëndësishme i ka fituar edhe Dukagjini që para tifozëve të tyre mundi Trepçën ’89, me rezultat 1-0.
Dueli mes klinasve dhe mitrovicasve, ka prodhuar një lojë mesatare, derisa të besuarit e Armend Dallkut në fraksionin e dytë kishin iniciative të lehtë në terren, kurse golin e fitores për nikoqirët e realizoi Zylfiju në minutën e 59-të.
Dukagjini pas kësaj fitore, arrin në kuotën e 21 pikë dhe ngjitët në pozitën e pestë, derisa ‘Minatorët’ mbesin në vendin e tetë me 18 pikë të tubuara.























