Munishi e Shotani flasin pas fitores së Drenicës kundër Prishtinës
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Drenica ka marrë një fitore tejet të rëndësishme kundër Prishtinës (0-1), sot në ‘Fadil Vokrri’ e vlefshme për javën e 17-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Pavarësisht disfatës, trajneri i kryeqytetasve Ismet Munishi pas ndeshjes është shprehur i kënaqur me paraqitjen e të besuarve të tij.
“Golin e morëm herët, nuk ishte edhe shumë gabimi i lojtarit tonë pasi topi mori një trajektore të çuditshme. Mundem me thënë që lojtari i ndeshjes ishte portieri i Drenicës, nëse vazhdojmë kështu të luftojmë Prishtina do bëjë shumë mirë”, tha Munishi.
Nderkaq, trajneri i Drenicës, Bekim Shotani theksoi se fitorja ndaj Prishtinës, e kthen në normalitet skuadrën e tij.
“Kemi ardhur nga ndeshje të vështira ku nuk kemi arritur objektivat dhe ka qenë e vështirë në shumë aspekte përballja me Prishtinën. Por, gjetëm forcën, u mobilizuam dhe u futëm me detyra defensive në këtë ndeshje për të dalë me kundërsulme, pasi ne shquhemi si ekip për presingun që bëjmë gjatë ndeshjeve. Patëm fat të madh që realizuam gol dhe pastaj balancuam lojën për të mos lejuar kundërshtarin të shënoj gol. Kjo fitore na ka kthyer në gjendje normale, pasi ishim në shok pas atyre dy humbjeve”, ka theksuar Shotani.
Drenica pas kësaj fitore ngjitët në pozitën e gjashtë me 20 pikë të tubuara, tri me pak se Prishtina që është e katërta.























