Reja për Corriere dello Sport: Shqipëri-Itali kurorëzimi i karrierës
RTSH
Në intervistën e dhënë për Corriere dello Sport, Edi Reja preku disa argumente dhe njëri prej tyre ishte ai që i përket të ardhmes si trajner i Kombëtares tonë.
Komisari teknik i Shqipërisë duket se është në metrat e fundit të aventurës kuq e zi pasi konsideroi si “kurorëzim” të karrierës miqësoren mes Shqipërisë dhe Italisë.
Edi Reja, komisari teknik i Shqipërisë, 77 vjeç dhe me mbi 1000 ndeshje si trajner. Pyetja është normale, do ta mbyllni me kaq apo do të vazhdoni?
Jam mjaftueshëm i rritur për të mos dëgjuar atë çfarë thuhet lart e poshtë. Madje kur dëgjoj çfarë thuhet për mua qesh. Me Armand Dukën, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, kam një raoport të thellë, mund ta konsideroj një mik të afërt. Si fillim dua të mbaroj detyrimet që kam pasi kemi ende dy ndeshje me Italinë dhe Armeninë dhe më pas do të ulemi bashkë e do të bisedojmë. Kontrata ime mbaron në fund të këtij muaji. Do të shikojmë çfarë është më e mira për të gjithë. Nuk dua të bëhem patetik. Kur kësaj pyetje ju përgjigjem me një nuk e di… ju them të drejtën, s’kam vendosur akoma.
Në fushë vihet re qartë se dëfrehesh akoma.
Më pëlqejnë disa gjëra këtu. Kam konsideratën e grupit dhe me lojtarët kemi krijuar një raport të mirë si dhe kemi arritur rrezultate. Arritëm të ngjiteshim në Ligën B të Nations League si dhe për pak nuk morëm pjesë në fazën me eleminim direkt të Botërorit. Shqipëria nuk kishte grumbulluar kurrë më parë 18 pikë në grup, ne ia dolëm të mundim dy herë Hungarinë e Rossi-t. Ndeshja e humbur në shtëpi përballë Polonisë ishte mëkati ynë i vetëm. Tani do të isha duke u kënaqur edhe më shumë… Grupi eliminator për “Euro 2024” nuk është i pamundur. Polonia dhe Republika Çeke janë favorite, por kam bindjen se mund t’i rivalizojmë.
Çfarë do të thotë për ju të përballesh me Italinë?
Dëgjimi i himnit italian pas atij shqiptar do të jetë një emocion i madh. Stadiumi i Tiranës do të mbushet, ju e dini fare mirë sa shumë ndiqet futbolli italian në Shqipëri. Për mua kjo ndeshje ka shumë rëndësi dhe në aspektin simbolik, unë jam 77 vjeç dhe kjo ndehsje është kurorëzimi i një karriere të gjatë.
Një muaj më parë keni takuar Maçini-n në Frankfurt.
U përshëndetëm dhe e përgëzova pasi pati kurajën të ndryshonte skemë në Nations League. Kaloi në 3-5-2 dhe gjeti një ekuilibër tjetër në ekip. Më erdhi keq që nuk mundi të shkonte në Katar, e meritonte pasi fitoi Europianin. U kritikua gjatë por arriti që të linte pas kritikat. Përveç se është një trajner i madh është dhe një njeri i madh.
A mos duhej të ndryshonte diçka pas Europianit?
Do të përgjigjem me një pyetje. Mbi ç’bazë mund ta themi këtë? Një komisar teknik ka ndjesitë e veta, mbështetet tek lojtarët, të cilët kanë dhënë diçka më parë. Në rastin e Maçini-t ai i besoi grupit që fitoi Europianin. E njëjta gjë i ndodhi dhe Lippi-t në 2010. Dhe të mendosh që nga Botërori i Gjermanisë kishin kaluar katër vite jo gjashtë muaj. Një trajner mundohet të aktivizojë lojtarët tek të cilët ka besim. Tani them se duhet të ketë kurajë dhe të aktivizojë ata që janë më në formë.
Mirënjohja nuk vlen shumë për një komisar teknik.
E vërtetë, mbi të gjitha për një komisar teknik. Në një klub mund të ndryshosh, ke kohë për të rikuperuar. Nëse një lojtar gabon për herë të dytë, mund të mos i japësh më një shans të tretë. Në Kombëtare secila ndeshje ka mjaft rëndësi.
Çfarë ndeshje pret në Tiranë?
Si fillim dua të them se këtu në Shqipëri do të jetë një festë e madhe. Nuk di se cilin do të aktivizojë Mançini. Ne duam që të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të tregojmë se jemi rritur krahasuar me disa vite më parë. Nuk do të jetë një ndeshje me intensitet të lartë, por ne duam ta luajmë mirë.
Përse është varfëruar kaq shumë futbolli italian?
Kemi hyrë në një rreth vicioz prej të cilit nuk dilet lehtë. Nëse klubet i besojnë gjithmonë e më shumë lojtarëve të huaj atëherë edhe ata që mund të vijnë pas Maçini-t do ta kenë të vështirë të ndërtojnë një Kombëtare kompetitive. Duhet punuar shumë me sektorin e të rinjve. Shikoni Sassuolo-n me Scamaça-n apo Raspadori-n ose Juven me Miretti-n dhe Fagioli-n. Duhet shumë guxim. Vendet e tjera kur shikojnë djem 18-19 vjeçar të zotë nuk ngurojnë t’i aktivizozjnë. Shqiptarët e mi unë i ndjek dhe i shikoj nëpër Europë. Në Itali mund të luajnë 10’, por në shtetete të tjerë janë titullarë.
Kush janë lojtarët më premtues të Shqipërisë?
Armando Broja, është 21 vjeç dhe luan në sulm. Ka eksperiencë dhe mjaft kapacitet. Aktivizohet me Chelsea-n, pasi u rikthye nga huazimi te skuadra si Vitesse dhe Southampton. Nuk është titullar por luan gati gjihtmonë. Emri i dytë është Bajrami, të cilin e njihni fare mirë. Unë e mora në Kombëtare pasi mund të grumbullonte dhe Zvicra.
Asllani me Inzaghi-n ka shumë pak hapësira.
Dhjetë muaj më parë te Empoli nuk ishte titullar fiks, por bëri mirë gjatë të gjithë kampionatit. Për mendimin tim ai duhet të kërkonte një ekip të mesëm pasi aty do të kishte më shumë minuta loje dhe do të piqej edhe më shumë si lojtar. Me kalimin në Milano rrezikon të ketë çuar dëm 1 vit. Te Interi nuk është e lehtë të luash.
Tani kur mendoni të gjithë rrugëtimin që keni bërë, ç'ju ka mbetur peng?
Mendoj se kalova në Serie A shumë vonë pas shumë e shumë vitesh duke stërvitur diletantët. Kam qenë mjaft mirë në shumë vende. Napoli, Lazio në Europë, Atalanta. Kam fituar katër herë Serie B. Me Cosenza-n dhe Torino-n i kam shkuar shumë pranë ngjitjes në kategori. Tani jam në Shqipëri. Nuk mund të ankohem për karrierën e bërë.
Në Napoli dhe Romë me Lazion dorëhiqeshit sot dhe të nesërmen riktheheshit në punë.
Zhgënjimi pas një ndeshje ose pas një zënke me bashkëpunëtorët të shtyn të mendosh gjithçka. Pasi kalon gjithçka mendohesh dhe rikthehesh në fushë. Kjo është pjesë e punës tonë.
Një herë Klose bëri që të ndryshonit mendim.
Doja të largohesha dh këtë vendim ia komunikova ekipit. Pas pesë minutash erdhën 2-3 lojtarë për të më takuar. Miro ishte mes tyre dhe duke më parë në sy me tha: “Mister mos bëj shaka, vish tutat dhe shkojmë të stërvitemi”. U ndërrova dhe mora në dorë stërvitjen.
Ishte Klose lojtari më i fortë që keni stërvitur?
Në aspektin profesional ishte më i miri. Pasi mbaronim stërvitjen ai gjithmonë grumbullonte topat dhe i fuste në thes. Kur shikonte lojtarët e ekipeve zinxhirë që nuk bënin diçka të tillë shqetësohej shumë. Ditën e parë në Formello u tha magazinierëve që të mos i pastronin këpucët e futbollit sepse me to do të merrej vetë. Ishte kampion i vërtetë. Nuk e di nëse do të bëhet trajner i madh, por për diçka jam i bindur. Ka shumë për t’i mësuar të rinjve.
Mendoni se Scaloni do të fitojë Botërorin me Argjentinën?
Mendoj se janë favoritët së bashku me Brazilin. Them se kushtet atmosferike në Katar do të jetë një minus i madh për ekipet nga Europa. Scaloni është i zgjuar, me shokët e ekipit në Romë kishte marrëdhënie mjaft të mirë. Pasi ika nga Lazio e mora në Bergamo dhe atje sa herë që mundeshim vinte në zyrë dhe më tregonte ku kishim gabuar.
Mendoni se Napoli fiton scudetto-n?
Po. Shumë thonë se Napoli gjithmonë nis mirë kampionatet, por kësaj herë them se ka një ndryshim të madh. Këtë herë Napoli ka një ekip të kompletuar. Them se i vetmi që nuk mund të zëvendësohet prej askujt është Lobotka.























