Sigal Prishtina në fundjave do të debutojë në Ligën ENBL
Sport

Sigal Prishtina në fundjave do të debutojë në Ligën ENBL

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Skuadra më e trofeshme kosovare në garat vendore dhe ndërkombëtare, Sigal Prishtina do të debutojë gjatë fundjavës në Ligën ENBL.

Bardhekaltrit janë në Grupin A së bashku me Polski Cukier, TalTech/Optibet, Budivelnyk, Kalev/Cramo, Zielona Gora dhe Siauliai.

Prishtinasit do të zhvillojnë dy ndeshje, të shtunën dhe të dielën në Tallinn të Estonisë. Të shtunën nga ora 17:00 do të ndeshen me Budivelnyk nga Ukraina që garon në Ligën Ballkanike, ku kishte pësuar nga Peja dhe fitoi ndaj Bashkimit.

Sfida e dytë për bardhekaltrit do të jetë të dielën nga ora 16:00 kundër Kalev/Cramo, ku bardhekaltrit ishin përballur ndaj kësaj skuadre në kualifikimet e FIBA Europe Cup, duke pësuar 98:61. 

ENBL është themeluar në verën e vitit 2021 për klubet profesionistë të meshkujve nga Evropa Veriore, Qendrore dhe Lindore. Është e krijuar për klubet që dëshirojnë të konkurrojnë ndërkombëtarisht në një nivel të lartë.

Edicioni i parë përfshin skuadra nga Polonia, Ukraina, Republika Çeke, Lituania, Letonia, Estonia, Bjellorusia, etj.


MË SHUME NGA Sport