Ermal Krasniqi për herë të dytë në këtë edicion “Ylli i Javës”
B. Halimi / RTKlive
Sulmuesi anësor i Ballkanit, Ermal Krasniqi e ka fituar për herë të dytë në këtë edicion çmimin “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës në futboll.
Edhe këtë javë vlerësimi i më të mirit është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit të FFK-së. Ky komision vlerësoi se Krasniqi ishte më i merituari në fitoren si mysafirë ndaj Gjilanit, me rezultat 3:0, me dy gola të shënuar.
“Si çdo herë është kënaqësi të zgjedhësh më i miri i javës. Ndjenjë e mirë që u riktheva prapë gjatë këtij edicioni për ta marrë këtë shpërblim. Jam i lumtur për sukseset e klubit dhe për faktin që arrij ta ndihmoj skuadrën nga ndeshja në ndeshje në arritjen e objektivave të saj”, ka theksuar Ermal Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai tutje theksoi se Ballkani edhe në këtë edicion po tregon seriozitet dhe është në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin kampion.
”Falënderoj bashkëlojtarët, trajnerët dhe të gjithë stafin, pasi bashkërisht po bëjmë një punë të mrekullueshme”, ka shtuar Krasniqi.























