FIFA hap procedurë të re disiplinore ndaj Serbisë pas ankesës së FFK-së
Sport

FIFA hap procedurë të re disiplinore ndaj Serbisë pas ankesës së FFK-së

B. Halimi / RTKlive

FIFA ka konfirmuar se ka hapur një tjetër rast disiplinor ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, pas ankesës së FFK-së.

FIFA, të hënën, ka njoftuar se hetimi ndaj Federatës serbe është hapur për shkak se dyshohet që janë bërë shkelje të tri neneve të kodit disiplinor në ndeshjen Zvicër-Serbi, nenit 12, nenit 13 dhe atij 16. Neni 12 ka të bëjë me sjelljen e keqe nga lojtarët dhe zyrtarët, neni 13 me diskriminimin dhe neni 16 me sigurinë në lojëra.

Ndërkohë, mediat zvicerane kanë bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë procedim ndaj Zvicrës dhe as ndaj kapitenit Granit Xhaka.

FFK, të dielën, parashtroi ankesë në FIFA për fyerjet e trajnerit serb, si dhe për koret dhe mesazhet raciste ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. Kjo ishte ankesa e dytë e FFK-së në shtëpinë e futbollit botëror brenda pak ditësh, pasi herën e parë ankesa u parashtrua pas paraqitjes së një pankarte në zhveshtoren e Përfaqësueses së Serbisë para ndeshjes me Brazilin, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me sloganin “S’ka dorëzim”. 


MË SHUME NGA Sport