Kosova tregon gatishmëri për bashkëorganizim të Lojërave Mesdhetare
Sport

Kosova tregon gatishmëri për bashkëorganizim të Lojërave Mesdhetare

Uran Krasniqi/RTKLive

Kosova ka shprehur gatishmërinë që bashkë me shtetet fqinje të organizojnë ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare, ka thënë Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Drejtuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), të kryesuar nga presidenti, Davide Tizzano dhe sekretari i përgjithshëm, Iakovos Filippoussis, ndodhen në Kosovë për të mbajtur mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe ata janë pritur sot nga ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani, ka njoftuar KOK.

"Çeku ka falënderuar udhëheqësit e ICMG-së për vizitën dhe organizimin dhënë KOK-un, me ç’rast i ka njohur me sukseset dhe sfidat e sportit të Kosovës, me theks të veçantë reformat që po i bënë MKRS në zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të sportit tonë.

Nga ana e tij, presidenti Tizzano, duke falënderuar ministrin Çeku për pritjen, vlerësoi lart pritjen dhe organizimin e KOK-ut, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të tillë. I pari i lëvizjes mesdhetare foli edhe për përgatitjet që po bëjnë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në rërë Heraklion 2022 dhe Lojërave Mesdhetare Taranto 2026.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, falënderoi ministrin për pritjen dhe ICMG-në për besimin e dhënë në organizimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, derisa shprehu gatishmërinë që në një të ardhme, falë investimeve në infrastrukturë, Kosova bashkë me shtetet fqinje të organizojnë ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare.

Ardhjen e ICMG-së e vlerësuan lartë edhe zëvendësministrja Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Aliti", ka shkruar KOK.


MË SHUME NGA Sport