Trepça vjen me një kërkesë për ‘Plisat’ dhe ‘Torcidat’
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Pak orë para ndeshjes Sigal Prishtina-Trepça, klubi mitrovicas ka një kërkesë për tifozët e të dy skuadrave.
Kryeqytetasit dhe mitrovicasit do të përballen sonte në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në finalen e madhe të Superkupës së Kosovës.
Për këtë sfidë tashmë janë shitur të gjitha biletat. Atmosfera parashikohet të jetë e zjarrtë për shkak të rivalitetit të madh që eksiton mes këtyre dy skuadrave më nam në vendin tonë.
KB Trepça përmes një njoftimi, ka kërkuar nga ‘Plisat’ dhe ‘Torcidat’ të jenë të përmbajtur gjatë dhe pas ndeshjes.
“Vendi ynë asnjëherë nuk ka pasur nevojë më shumë se sot për unitet. Andaj edhe ne si klub i ftojmë tifozeritë e të dy ekipeve që të na bashkangjiten në këtë thirrje. E dimë se rivaliteti në mes Trepçës dhe Prishtinës gjithmonë ka qenë, është dhe kurrë nuk do të vdes, po ashtu edhe rivaliteti në mes të “Torcidës” dhe “Plisave” asnjëherë nuk do të shuhet, por sot vendi ynë dhe tifozëritë tona si asnjëherë më parë kanë nevojë të janë të përmbajtura dhe në përkrahje të Policisë së Kosovës. Të mos shkaktojmë probleme sepse sot më shumë se çdo herë vendi na thërret. Do të ketë kohë edhe për rivalitet, sot duhet të fitoj Kosova”, në njoftimin e ‘Minatorëve’.
Ndeshja mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës nis në orën 17:00.























