Pas incidenteve, FBK me masa për zhvillimin e ndeshjeve
Uran Krasniqi/RTKLive
Një sërë masash ka marrë Federata e Basketbollit e Kosovës për mbarëvajtjen e ndeshjeve pas incidenteve të ditëve të fundit në palestra.
Sipas një njoftimi nga FBK, Bordi i FBK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot e ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar të krijuar së fundi dhe ka vendosur që të zbatohen masat.
"Të kufizohet numri i ulëseve në terren, në varësi të konfigurimit të palestrës, për të garantuar moscenimin e terrenit nga publiku i pranishëm; Të mos lejohet pengimi i pjesëmarrësve të ndeshjes nga publiku i pranishëm përreth terrenit të lojës; Të shtohen masat e sigurisë dhe kontrollet për publikun, duke ndaluar futjen e çfarëdo mjeti që mund të rrezikojë sigurinë e pjesëmarrësve dhe shikuesve; Të emërohet një komesar i sigurisë për çdo ndeshje, i cili do të garantojë mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe organizimit; Para secilës ndeshje, organizatori të paraqesë planin e sigurisë me shkrim tek Komesari i Garave, i cili të njëjtin ia përcjell tutje delegatit të ndeshjes, gjyqtarit kryesor dhe komesarit të sigurisë; Të zbatohen me përpikëri Propozicionet e Garave dhe Rregullorja e Garave të FBK, duke garantuar, mes tjerash: Zbatimin e dispozitave që rregullojnë ndalesën e sharjeve në kor; Zbatimin e dispozitave që rregullojnë hedhjet në terren, përfshirë edhe hedhjen e mjeteve të cilat nuk rrezikojnë jetën apo shëndetin e pjesëmarrësve; Zbatimin e dispozitave që rregullojnë intonimin e himnit shtetëror; Zbatimin e dispozitave që rregullojnë garantimin e sigurisë në terren, përfshirë rastet e mospërputhjes së veprimit të organizatorit në pajtim me ligjet e zbatueshme dhe planin e sigurisë; FBK dhe klubet të organizojnë fushatë të përbashkët vetëdijesuese për pasojat e veprimit në kundërshtim me propozicionet e garave. FBK dhe klubet të organizojnë xhirimin e keqsjelljes së personave të pranishëm në terren dhe të koordinohet ndarja e imazheve me organet e ndjekjes dhe zbatimit të ligjit. Të vazhdojë ndalesa e udhëtimit të tifozerive mysafire për të gjitha aktivitet sportive të organizuara nën ombrellën e FBK-së. Organizimi i Kupës së Kosovës të bëhet pa spektatorë. Ndalohet rreptësishtë shitja dhe konsumi i pijeve alkoolike konform Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive", ka shkruar FBK në njoftimin për media.
Përplasjet e tifozërisë kanë ndodhur në ndeshjet e zhvilluara në kuadër të Superkupës së basketbollit të Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës, si dhe ndërmjet Bashkimit dhe Pejës.























