Ademi thotë se ka një bindje që Kosova kualifikohet në Euro 2024
BKT
Sport

Ademi thotë se ka një bindje që Kosova kualifikohet në Euro 2024

Uran Krasniqi / RTKLive

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se e ka një bindje që Kosova do të kualifikohet në Euro 2024. 

Duke folur për RTK-në ai e ka vlerësuar kalimin nga Liga D në atë C sa i takon "Nations League".  "Nuk kemi arritur rezultatin e dëshiruar në Ligën e Kombeve, por nuk mund ta quaj dështim. Ambicia për kualifikime në Euro 2024 është e madhe. Grupi që kemi rënë është grup ku vetëm Zvicra është pak më lart, por ne e shohim veten konkurrent për t'u kualifikuar", ka thënë i pari i FFK-së. "E kam një parandjenjë që do të jemi në Evropian". 

Ademi ka folur edhe për futbollin vendor. 

"Më gëzon fakti që i kemi kushtuar rëndësi futbollit vendor, liga jonë nuk është më e fundit, por është në mes të ranglistës. Sa i takon ngritjes në rangim, liga jonë konsiderohet që qëndron më së miri në rajon", ka thënë ai.  

Ademi ka folur edhe për infrastrukturën, duke thënë se çdo muaj është punuar dhe se pas dy vitsh do të bëhet edhe kategorizimi i stadiumeve.  

Ai ka njoftuar se Kosova mbetet në garë për ta marrë një stadium i cili pritet të çmontohet nga Katari ku u mbajt Kupa e Botës dhe t'i jepet një vendi tjetër.