Top-ngjarjet sportive që ‘pushtuan’ botën
BKT
Sport

Top-ngjarjet sportive që ‘pushtuan’ botën

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Viti 2022 që tashmë është në ikje, ka qenë një vit me plotë ngjarje të mëdha sportive si në rrafshin vendor e poashtu edhe në atë ndërkombëtare, ngjarje që sollën emocione të shumta tek adhuruesit e sportit, por edhe zhgënjim.

RTKLive për lexuesit e saj, sjell top-ngjarjet e këtij viti, duke filluar me Kombëtaren e Kosovës në futboll.

Rrugëtimi i Kosovës në vitin 2021

E nisim me Kombëtaren e Kosovës. “Dardanët” brenda këtij viti kanë zhvilluar 10 ndeshje (gjashtë zyrtare dhe katër miqësore), duke shënuar katër fitore, tre humbje dhe tre barazime.

Kosova e nisi për mrekulli ‘epokën’ nën urdhrat e francezit Alain Giresse duke ‘shpartalluar’ Burkina Fason me rezultat 5:0, derisa pesë ditë më vonë barazuan në miqësoren ‘vëllazërore’ ndaj Zvicrës 1:1.

Pastaj nisën ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kombeve, ku përfunduam si pozitë e dytë në tabelë duke qenë në një grup me Greqinë, Irlandën Veriore dhe Qipron.

Fillimisht Kosova e nisi me fitore ndaj Qipros (0:2), pastaj u mposht në shtëpi nga Greqia (0:1), mirëpo arriti të këndellet sërish duke triumfuar kundër Irlandës Veriore tre ditë më vonë (3:2), por pastaj me humbjen si mysafir i Greqisë (2:0), u shuan shpresat që këtë vit të ngritëmi në Ligën B.

Në dy ndeshjet e mbetura, Kosova mori një humbje dhe një fitore, fillimisht u mposht në udhëtim te Irlanda Veriore (2:1), e pastaj e ‘demoloi’ Qipron në shtëpi (5:1).

Kështu, Kosova në këto kualifikuese të Ligës së Kombeve, Liga C, përfundoi në pozitë e dytë në tabelë me nëntë pikë, gjashtë më pak se lideri Greqia.

‘Dardanët’ vitin e mbyllen me dy barazime, këtë herë në miqësore ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe, por këtu Giresse kishte ftuar lojtarë të rinj që dukej më shumë si ekipi ‘B’. Fokusi i Kosovës për vitin 2023 do të jetë padyshim kualifikimi për një kampionatin Evropian "Euro 2024", ku jemi në një grup me Izraelin, Zvicrën, Andorrën, Rumaninë dhe Bjellorusinë.

Kualifikueset do t'i nisim si mysafir i Izrealit me 25 mars 2023, ndjekur nga përballja me Andorrën tre ditë më vonë.

Superliga e Kosovës, Ballkani bëri historinë

Viti 2022 sa i përket futbollit vendor padyshim i takoi FC Ballkanit, të cilët shkëlqyen nën urdhrat e teknikut shqiptar Ilir Daja.

Daja mori drejtimin e "Xhebrailave" duke i ndihmuar ta fitojnë titullin e parë në histori të klubit, ku mblodhën 76 pikë (23 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje), duke pasur plot 12 më shumë se nënkampioni Drita, derisa Gjilani u rendit e treta me 62 sosh.

Sidoqoftë, sukseset e Ballkanit nuk u ndalën me kaq, duke bërë historinë edhe në futbollin evropian, ku arritën të kualifikohen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që s'ishte arritur asnjëherë nga ndonjë klub i yni.

Aventura e tyre nisi së pari në Ligën e Kampionëve, mirëpo u eliminuan menjëherë në raundin e parë nga Zalgiris. Me rënien nga kompeticioni më i madh në botë, siguruan "biletën" për në raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.

Ballkani mposhti aty kampionin e San Marinos, La Fiorita me rezultat të përgjithshëm 10:0, e ndjekur nga një fitore e vështirë ndaj KlKlaksvik (3:4 pas penalltive). Kampioni i Kosovës pastaj bëri historinë duke eliminuar klubin shqiptar FC Shkupi në raundin e play-offit me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Sa i përket fazës grupore, ishin në një grup me CFR Cluj, Slavia Praha dhe Sivasspor, ku arritën vetëm një fitore, duke numëruar edhe katër humbje dhe një barazim, por padyshim na bënë krenar me paraqitje impresionuese.

Nëse flasim për Superligën e Kosovës në edicionin 2022/23, Drita dhe Ballkani po ndajnë kreun pas 18 xhirove, ose të themi pas pjesës së parë të sezonit, duke pasur nga 38 pikë, nëntë më shumë se Prishtina dhe Gjilani që zënë pozitat tre, respektivisht katër.

Xhudo – sporti që po vazhdon të na bëjë krenar

Xhudo është duke vazhduar ta ‘rris’ emrin e Kosovës, sidomos falë suksesit të xhudistes sonë, Distria Krasniqi, që këtë vit ishte e jashtëzakonshme.

Krasniqi këtë vit fitoi tetë medalje në turne të ndryshëm (katër medalje të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta).

Sidoqoftë, medalje nga xhudo siguruan edhe Laura Fazliu (një të artë, një të argjendtë), Nora Gjakova (një të argjendtë, një të bronztë), LorianaKuka (një të artë, një të bronztë), si dhe me nga me nga një medalje ishin Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq.

Kështu ia vlen të thuhet se xhudo vazhdon ta bëjë krenar shtetin e Kosovës!

Golden Eagle Ylli kampion i Kosovës

Qyteti i Suharekës nuk kishte një kampion vetëm në futboll, por edhe në basketboll.

Ishte skuadra e Golden Eagle Yllit që edicionin e kaluar në kampionatin tonë të basketbollit arriti që ta fitojë titullin.

Pas një edicioni mjaftë të gjatë, Ylli në finale u përball me KB Pejën që e mposhti me rezultat të përgjithshëm 3:0 që të sigurojë titullin e parë në histori.

Top-ngjarjet në sportin ndërkombëtarë

Edhe në sportin ndërkombëtarë ka qenë një edicion i jashtëzakonshëm.

Padyshim mendja ishte te kompeticioni më i madh në elitën e futbollit, Liga e Kampionëve – ku Real Madrid dëshmoi pse quhet ‘Mbretërit’ i kësaj gare.

Real Madrid arriti ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve duke mposhtur gjigantë të shumtë si PSG (3:2), Chelsea (5:4), Manchester City (6:5) dhe në finale Liverpoolin (1:0).

E bukura e këtij viti për “Galaktikët” ishte se secilën ndeshje arritën ta fitonin me përmbysje, duke befasuar të gjithë tifozët anë e mbanë globit.

Ndërkohë, Real Madrid fitoi edhe titullin e La Liga-s, derisa në kompeticionet e tjera, Man City u shpall kampion në Premierligë, AC Milan në Serie A, PSG në Ligue dhe Bayern Munich në Bundesliga.

‘Topi i Artë’ i Benzemas

Sulmuesi francez, Karim Benzema padyshim se ishte njeriu me meritor në suksesin e Real Madridit, skuadër kjo që triumfoi në Ligën e Kampionëve dhe në La Ligë. Francezi shënoi hiq më pak se 44 gola në 46 paraqitje me ‘Los Blancos’. Benzema fitojë çmimin ‘Topi i Artë’ për vitin që po e lëmë prapa.

Liga e Evropës ishte një tjetër kompeticion interesant me Eintracht Frankfurtin që e fitoi titullin (eliminoi Barcelonën në gjysmëfinale), pasi mposhti Rangers në finale.

Klubi gjerman zhvilloi lojë të bukur edicionin e kaluar, mirëpo e humbi Superkupën e UEFA-s në një ndeshje ndaj Real Madridit (0:2 në të mirë të ‘Los Blancos’”.

Kurse, kompeticioni i tretë sa i përket rëndësisë në futbollin evropian, Liga e Konferencës i takoi AS Romas. Skuadra italiane luajti në stadiumin e Shqipërisë, “AirAlbania” në finale ndaj Feyenoord, ku djemtë e Jose Mourinhos u shpallen kampion falë golit të NicoloZaniolos.

Kupa e Botës

E tërë vëmendja që një muaj është vetëm tek një turne – Kampionati Botëror “Katar 2022”, të cilën e ka sjellë ekskluzivisht Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Pas një muaji plot ndeshje, Kombëtarja e Argjentinës në krye me Lionel Messin arritën ta fitojnë titullin duke mposhtur në finale kampionin e vitit 2018, Francën.

Ndeshja ishte dramatike, ku vlerësohet si më e mira ndonjëherë me rezultatin përfundimtar pas kohës së rregullt dhe shtesës që doli të jetë 3:3, por Argjentina ishte më e saktë nga 11-metërshit (4:2).

Messi rrëmbeu ‘Topin e Artë’, Mbappe ‘Këpucën e Artë’ në Botërorin 2022

Asi i Argjentinës, Lionel Messi në Kupën e Botës ‘Katar 2022’ rrëmbeu ‘Topin e Artë’, duke qenë njeriu kryesor në suksesin e Argjentinës, e cila fitoj trofeun e Botërorit 2022.

Ndërkaq, ylli i Francës, Kylian Mbappe fitojë ‘Këpucën e Artë’ me tetë gola të shënuara dhe dy asistime, duke e lënë prapa Messin më shtata gola dhe një tri asistime.

Golden State Warrios kampion në NBA

Sa i përket basketbollit më të populluar në botë, NBA, viti 2021 i takoi Golden State Warriores.

Golden State pas një rrugëtimi të shkëlqyeshëm në finale arritën ta mposhtin Boston Celtics që të fitojnë trofeun e madh. Ylli i finaleve u shpall askush tjetër, përpos 'snajperistit' Stephen Curry.

Ndërkohë, lojtari më i mirë ishte Nikola Jokic i Denver, derisa top shënuesi ishte Joel Embiid nga Philadelhphia.

Vdekjet që tronditet opinionin

Bota sportit këtë vit është tronditur me ikjen me talentit të Trepçës ’89, Erion Kajtazit, i cili kishte ndërruar jetë gjatë ndeshjes  A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve. Ai nuk mundi t’i përballojë një sulmi kardiak.

Vdes zëri ikonik i RTK-së Milaim Krasniqi

Pak ditë më parë është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare gazetari dhe komentatori i sportit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Milaim Krasniqi.

Vdekja e tij kishte ardhur si pasojë e komplikimeve që u shfaqën kohët e fundit nga kanceri. Përkundër përpjekjeve dhe angazhimeve të mjekëve në Kosovë, Turqi dhe në Francë, ato nuk patën sukses. Humbjen e Krasniqit e kanë përjetuar keq kolegët e profesionit.

Shuhet legjenda Pele

Legjenda braziliane e futbollit, Pele, ndoshta lojtari më i mirë në histori, ka vdekur në moshën 82-vjeçare.

Vitet e fundit ai vuante nga problemet e veshkave dhe prostatës.

Pele u operua dhe hoqi tumorin nga zorra e trashë në shtator të vitit 2021. Por, një vit më vonë, në fund të nëntorit 2022, ai u shtrua përsëri në spital.

Pele, emri i vërtetë i të cilit ishte Edson Arantes do Nascimento, ka shënuar një rekord botëror prej 1.281 gola në 1.363 paraqitje gjatë karrierës së tij 21-vjeçare, duke përfshirë 77 gola në 92 ndeshje për kombëtaren e Brazilit.

I vetmi lojtar që fitoi Kupën e Botës tri herë, duke ngritur trofeun në 1958, 1962 dhe 1970, Pele u shpall Lojtari i Shekullit nga FIFA në 2000.