Stadiumi “Pele”, Kepi i Gjelbërt përqafon nismën
RTSH
Stadiumi Kombëtar i Kepit të Gjelbër do të marrë emrin e legjendarit Pele, bëri të ditur Kryeministri i vendit. Kompleksi 15,000-vendësh, i njohur deri më tani si “Estadio Nacional de Cabo Verde”, që ndodhet në periferi të kryeqytetit Praia, do të njihet tani e tutje si Stadiumi “Pele”.
Një gjë e tillë vjen pasi Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, propozoi gjatë homazheve për Pelenë në Brazil, që çdo vend në botë duhet t’i vërë një stadiumi emrin e legjendës së futbollit, i cili u nda nga jeta më 20 dhjetor 2022, në moshën 82-vjeçare.
“Si një homazh dhe mirënjohje për këtë figurë që na lartëson të gjithëve, unë shpall synimin tim për ta quajtur stadiumin tonë kombëtar Stadiumi “Pele”, në një nismë që, unë besoj se do të ndiqet nga shumë vende të botës”, - deklaroi Ulises Korreira de Silva në një postim në profilin e tij në rrjetin “Facebook”.
“Me ndarjen nga jeta fizikisht të Edson Arantes de Nashimentos, të “Mbretit Pele”, që tashmë i përket rrafshit të legjendave dhe është bërë një ikonë e masave dhe që dëshmon se sporti ka fuqinë të bashkojë botën, është dëshira jonë që t’i bëjmë homazh atij”, - shtoi kryeministri De Silva, duke e vënë theksin tek rëndësia që Pele ka për vendet që flasin portugalisht, siç është edhe Kepi i Gjerlbër.
Megjithatë, Presidenti i Federatës Afrikanojugore të Futbollit, Deni Xhordan, ka ngritur shqetësimin se kjo nismë e emrit të Peles mund të krijojë probleme me të drejtat e emrave të stadiumeve ekzistuese.























