Leart Paqarada arrin marrëveshje me Koelnin
Sport

Leart Paqarada arrin marrëveshje me Koelnin

B. H. / RTKlive

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leart Paqarada në edicionin e ri do të jetë pjesë e Bundesligës. Ai, të hënën, ka arritur marrëveshje me skuadrën e Koelnit, fanellën e të cilit klub do ta veshë në sezonin e ardhshëm.

Paqarada aktualisht luan në Bundesliga 2 me skuadrën e St. Paulit, derisa në qershor do të transferohet te Koelni si lojtar i lirë. Learti është djali i ish-portierit të gjeneratës së artë të Prishtinës, Shukri Paqarada. Ai me Koelnin ka nënshkruar kontratë trevjeçare, që do të thotë se do të jetë i lidhur me këtë klub deri në verën e vitit 2026.

“Jemi shumë të lumtur që ishim në gjendje ta bidim Leartin që të jetë pjesë e ekipit tonë prej sezonit të ardhshëm. Ai ka treguar paraqitje të mira në Bundesligën 2 dhe ka cilësi të jashtëzakonshme”, ka thënë drejtori sportiv i Koelnit, Christian Keller.

Ndërkaq, 28-vjeçar dardan, i cili në fanellën e Kosovës ka munguar që një kohë për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-përzgjedhësin e mëparshëm, Bernard Challandes, është shprehur i lumtur që do të veshë fanellën e Koelnit.

“Jam jashtëzakonisht krenar që do ta barti fanellën e Koelnit prej sezonit të ardhshëm. Të kthehem në qytetin ku jam rritur është ndjenjë e jashtëzakonshme. Megjithatë, deri në fund të sezonit, fokusi im do të jetë te St. Pauli”, ka thënë Paqarada.


MË SHUME NGA Sport