Drejtori i Atleticos: Ka vite që gjyqtarët favorizojnë Realin
B. H. / RTKlive
Të enjten, lojtarët e Real Madridit me një kthesë në rezultat pas 120 minutash lojë e mposhtën Atleticon dhe kaluan në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Një pjesë e publikut spanjoll mendon se ndeshjen e karakterizoi gjyqtari Cesar Soto Grado.
Në fakt, kur rezultati ishte 0:1, në minutën e 71-të Dani Ceballos bëri një faull në afërsi të zonës së rreptësisë. Ai kishte një karton të verdhë, por gjyqtari nuk zbatoi rregullat dhe nuk ia dha kartonin e dytë të verdhë.
Drejtori i Përgjithshëm i Atleticos, Hill Marin tha se ky lloj sistemi po shkatërron futbollin spanjoll prej kohësh.
“Kartoni i verdhë për Ceballos ishte i dukshëm, sipas të gjitha rregullave, i pastër si loti. Por me epërsinë tonë prej 0:1, në minutën e 71-të, në luftë për gjysmëfinale, të lëmë Realin në stadiumin e tyre me një lojtar më pak është punë e madhe. Kam respektin maksimal për gjyqtarët dhe jam i sigurt se qëllimet e tyre janë gjithmonë më të mirat, por kushdo që e shikon situatën nga jashtë mund të shohë se të njëjtat gjëra kanë ndodhur për dekada. Fatkeqësisht, askush nuk është i befasuar. Në ditët para derbit, mediat shkruanin se gjyqtarët duhet të mbronin disa lojtarë. Sinqerisht, nuk e vura re që dikush mbronte Griezmann dhe Morata-n që u goditën fjalë për fjalë nga kundërshtarët. Por ky është sistemi. Ngjyrat e fanellave në fushë dhe në tribuna nuk duhet të ndikojnë në vendimet e gjyqtarëve. Lojtarët tanë i ndjenë pasojat e atij presioni," tha Hill Marin.
Ai tutje pranoi se Atlético është fajtori kryesor për rezultatet e dobëta, por se kjo nuk i ndryshon faktet për sistemin e keq.
“Ne jemi plotësisht përgjegjës për rezultatet tona këtë sezon. Nuk e kaluam fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe jemi shtatë pikë prapa ekipit të vendit të tretë në La Liga. Nga ne varet se çfarë do të bëjmë në 20 ndeshjet e mbetura. Asnjë justifikim, por edhe unë jam i shqetësuar sesi funksionon sistemi dhe gjithmonë favorizon një klub”, theksoi Hill Marin.