Ajax emëron trajnerin e ri
Uran Krasniqi / RTKLive
Ajax ka emëruar John Heitinga si trajner deri në fund të sezonit. Kjo pas shkarkimit të Alfred Schreuder javën e kaluar.
Ajax pati shkarkuar trajnerin Alfred Schreuder pas një ecurie të dobët të rezultateve. Schreuder që zëvendësoi Erik ten Hag pas largimit të tij drejt Manchester United në fund të sezonit të kaluar fillimisht dukej se ishte i duhur në Amsterdam, duke fituar gjashtë ndeshjet e tij të para në ligë dhe duke mposhtur Rangers 4-0 në ndeshjen e parë të sezonit në Ligën e Kampionëve, por eliminimi nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe rënia në formë ku Ajax dështoi të fitojë një nga shtatë ndeshjet e fundit në Eredivisie ndikuan që klubi vendosi të veprojë.
Edwin van der Sar, drejtor te klubi, ka folur për vendimin për ta emëruar trajnerin e ri.
“Ne jemi të bindur se kjo është zgjidhja e duhur. Ne ndihemi të sigurt për cilësitë e John dhe vizionin që ai ka. Skuadra tani duhet të fitojë. Kemi ende shumë për të luftuar këtë sezon", është shprehur ai.
Ajax aktualisht gjendet në pozitën e katërt në tabelën e Eredivisie.























