Kampi Nacional në Hajvali hapet për ekipet kombëtare
Sport

Kampi Nacional në Hajvali hapet për ekipet kombëtare

Uran Krasniqi/RTKLive

Kampi Nacional në Hajvali për herë të parë i ka hapur dyert për akomodim të plotë të ekipeve kombëtare, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.

"Ky kamp tashmë i plotëson të gjitha kushtet për qëndrim disaditor, aq sa i nevojitet një skuadre, derisa do të jetë në shërbim edhe për grupmoshat e tjera të kombëtareve në të dyja konkurrencat.
Qëndrimi në kamp është mirëpritur shumë edhe nga futbollistet, të cilat u shprehën të kënaqura me kushtet dhe gjithçka ofron kampi. Kampi Nacional në Hajvali posedon një fushë me bari natyral dhe dy fusha ndihmëse me bari sintetik", ka njoftuar FFK.

Të premtën pikërisht në këtë kamp, Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e femrave ka filluar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2023, të cilat zhvillohen në muajin mars në Francë.

Sahare Berisha dhe Albina Gegaj e vlerësuan faktin që të gjitha aktivitetet zhvillohen në një vend pa pasur nevojë të humbin kohë për të bërë rrugë në ndonjë destinacion tjetër.

Edhe përzgjedhësja e kombëtares së kësaj grupmoshe, Sanije Krasniqi u shpreh e lumtur për krijimin e këtyre kushteve në kamp, e të cilat u kursejnë kohë dhe ndikojnë në përgatitje sa më të mirë. Krasniqi ndër të tjera tha se gjatë grumbullimit përveç stërvitjeve, po organizohen edhe disa punëtori përmes të cilave u ndihmojnë vajzave të socializohen dhe të përgatiten për kalimin në grupmoshat tjera.


MË SHUME NGA Sport