FFK e përkujton Qiron, e vlerëson si trajner të dashur
BKT
Sport

FFK e përkujton Qiron, e vlerëson si trajner të dashur

B. H. / RTKlive

Vdekja e trajnerit të njohur kroat, Mirosllav Qiro Bllazheviq ka prekur edhe komunitetin e futbollit në Kosovë, pasi ai e drejtoi Prishtinën në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë.

Federata e Futbollit të Kosovës në një postim në Facebook e ka përkujtuar trajnerin legjendar kroat, teksa e ka vlerësuar atë si trajner të dashur për komunitetin e futbollit në Kosovë, pasi siç theksohet ai e “udhëhoqi me pasion e sukses gjeneratën e artë të Prishtinës në edicionin 1985/86.

“Qiro vazhdimisht kishte shprehur simpatinë e tij për Kosovën, teksa periudhën e kaluar te Prishtina e vlerësonte si të veçantë për shkak të dashurisë së madhe që i ofruan futbollistët, drejtuesit dhe tifozët e klubit. Prehu në paqe Legjendë!” thuhet në postimin e FFK-së.

E një postim trajnerit kroat ia ka dedikuar edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi në ‘Facebook’.

“Futbolli sot humbi njërin prej trajnerëve më të famshëm të Ballkanit, legjendën kroate Mirosllav Qiro Blazheviq. Karriera e tij ishte e bujshme e me plot suksese historike ndër dekada”, ka shkruar ndër të tjera Ademi.

Ndërkohë, klubi të cilin e udhëhoqi, FC Prishtina, nuk ka reaguar ende pas vdekjes së trajnerit kroat.