Emiri i Katarit synon të blejë Manchester Unitedin për 4.5 miliardë funte
BKT
Sport

Emiri i Katarit synon të blejë Manchester Unitedin për 4.5 miliardë funte

B. H. / RTKlive

Emiri i Katarit, Tamim Bin Hamad Al-Thani, dëshiron të blejë Manchester United për 4.5 miliardë funte, por problemi është se ai tashmë ka në pronësi Paris Saint-Germain, që do të thotë se njëri nga klubet nuk do të mund të luajë në Ligën e Kampionëve, pohojnë mediat britanike.

Pas njoftimit të pronarëve amerikanë të United, Glazers, se po e nxirrnin klubin në shitje, pritej të bënin oferta më shumë palë të interesuara nga Lindja e Mesme. Sipas ‘The Guardian’, emiri Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani është favoriti kryesor me një ofertë që nuk mund të refuzohet.

Katarianët kanë tashmë në pronësi Paris Saint-Germain që nga viti 2011, dhe sipas rregullave të UEFA-s, klubet me të njëjtët pronarë nuk mund të luajnë me njëri-tjetrin në garat e tyre, dhe emiri po pret që të gjendet një zgjidhje përpara se të vazhdojë me një blerje të mundshme të klubit.

Edhe pse mediat përmendën shumën prej 6 miliardë funte që do të kërkojnë Glazers, emiri i Katarit është gati të japë një çmim më real prej 4.5 miliardë funte, diçka që vështirë se do të injorohet. Sipas “The Guardian”, nëse blerja e klubit kalon, trajneri Erik Ten Haag mund të presë një shumë të madhe në dispozicion për përforcime tashmë në afatin kalimtar të verës.