Fitojnë Dukagjini e Trepça `89
Uran Krasniqi/RTKLive
Dukagjini dhe Trepça `89 kanë arkëtuar nga tri pikë të reja në javën e nëntëmbëdhjetë të Superligës.
Derisa Dukagjini ka mposhtur Prishtinën, Trepça '89 ka fituar nga Drita.
Në Klinë vendasit kanë mposhtur kryeqytetasit me rezultat minimal. Në këtë ndeshje vetëm fundi i pjesës së parë ka qenë moment i dalluar, ndryshe skuadrat nuk kanë arritur të shquhen më shumë. Ka qenë minuta e 43’ kur pas një rivënie nga këndi realizoi Pefqeli autogol dhe i dha epërsinë klubit nga Klina. Trajneri i Prishtinës ka protestuar ndaj arbitrit, por megjithatë vendimi i tij ka qenë i pakthyeshëm. Pas ndeshjes faqja e Prishtinës në Facebook e ka komentuar ndeshjen. "Përfundon ndeshja me referim skandaloz", ka shkruar klubi kryeqytetas në faqen e vet zyrtare.
Me këtë humbje Prishtina qëndron në vendin e katërt me 27 pikë, kurse Dukagjini ngjiten në vendin e pestë me 25 sosh.
Në Mitrovicë ku ndeshja filloi me nderime për futbollistin e ndjerë, Erion Kajtazi, me ç'rast klubi edhe zyrtarisht ka pensionuar numrin 15
-të që e barte ish-futbollisti i ri, nuk ka pasur shumë gola. Ndeshja është mbyllur 1-0 për vendasit. Golin e vetëm e ka shënuar futbollisti Armend Gashi, në minutën e 12-të.
Me këtë fitore mitrovicasit i kanë bërë një shërbim Ballkanit, ku tash Drita mbetet në pozitën e dytë me 38 pikë, tre më pak se skuadra nga Suhareka. Ndërsa Trepça '89 tash gjendet në vendin e shtatë me 22 pikë.























