Amar Gërxhaliu ëndrron të luaj me Kosovën në Euro 2024
B. H. / RTKlive
Mbrojtësi i talentuar vushtrrias, Amar Gërxhaliu, i cili ka filluar të spikasë në elitën e futbollit turk me skuadrën e Antalyaspor, ëndrron që të luajë me Kosovën në Kampionatin Evropian 2024. Ai aktualisht është pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, por në të ardhmen pritet të marrë ftesë edhe nga përzgjedhësi i kombëtares A, Alain Giresse.
Pas tërmetit të fuqishëm në Turqi, kampionati atje është pezulluar përkohësisht, prandaj Gërxhaliu ka shfrytëzuar rastin që të vijë për pushime disa ditore në venlindjen e tij.
Ai deri në edicionin e kaluar ishte pjesë e Vushtrrisë, teksa në verë u transferua në skuadrën turke. Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që interesimi për Amarin të rritet edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë, por duket se dëshira e lojtarit është të vazhdojë të luajë në fanellën dardane.
“Jam i lumtur dhe falënderues për takimin që pata me presidentin Ademi dhe me bashkëpunëtorët e tij në FFK. Normalisht që në këtë takim biseduam për paraqitjet e mia me ekipin kombëtar. Jam i lumtur që jam pjesë e Kosovës dhe kam dëshirë të vazhdoj të luaj me fanellën e Kosovës. Aktualisht jam pjesë e ekipit U21, por mezi po pres të luaj sa më shpejtë edhe me ekipin A”, ka theksuar Gërxhaliu pas takimit të sotëm me kreun e FFK-së. Sipas njoftimit të shtëpisë së futbollit kosovar, Ademi e inkurajoj Gërxhaliun të vazhdojë të punojë maksimalisht për ta mbajtur formën dhe për të dëshmuar vlerat e tij, teksa vuri në pah rëndësinë që FFK ua kushton talenteve të reja dhe qëllimin që ka për të afruar sa më shumë lojtarë të rinj e perspektivë në Kombëtare.
Ndërkaq, Amari ka thënë se vendimi për të luajtur për Kosovën nuk ka qenë i ngutshëm. “Si çdo kosovar që është rritur në Kosovë, ashtu edhe unë e kam pas ëndërr të luaj për kombëtaren, prandaj nuk e kam pasur shumë të vështirë të vendosi të luaj për Kosovën”, ka shtuar ai.
Ai tutje ka folur edhe për paraqitjet e tij në kampionatin turk. “Aktualisht po ndihem shumë mirë me ekipin e Antalyaspor dhe tashmë kam filluar të luaj në Superligë, ku në tri ndeshjet e fundit kam pasur minutazhë, kurse paraprakisht luaja vetëm në ndeshjet e Kupës. Besoj që në ato ndeshje e kam treguar vetën dhe e kam bindur trajnerin Sahin se e meritoj të luaj edhe në Superligë, e më pas ai më dha mundësinë që të jem titullar”, është shprehur Gërxhaliu.
Ndonëse aktualisht është i lumtur që luan në elitën e futbollit turke, si çdo futbollist tjetër edhe Amari synon që në të ardhmen të jetë pjesë e top-ligave evropiane. “Si çdo futbollist që rritet në Kosovë edhe për mua gjithnjë synimi ka qenë që të luaj në klubet evropiane dhe jam në atë rrugë. Besoj që do të arrij të realizoj atë ëndërr, por patjetër që ëndërr e madhe për mua mbetet edhe të jem pjesë e ekipit të Kosovës në çdo grumbullim e pse jo që me Kosovën të shkoj edhe në Euro 2024”, ka përfunduar Gërxhaliu.























