Pioli: Përballja me Tottenhamin vjen në kohën e duhur
B. H. / RTKlive
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, pret një duel të vështirë ndaj Tottenhamit në ndeshjen e parë të 1/8-tës së Ligës së Kampionëve. Por, Pioli beson se kjo ndeshje vjen në momentin e duhur për klubin italian.
Futbollistët e Milanit nesër nga ora 21:00 do të luajnë kundër Tottenhamit në fushën e tyre. Tre ditë më parë, “Rosonerët” mposhtën Torinon në xhiron e 22-të të Serisë A dhe i dhanë fund serisë prej katër humbjesh në të gjitha garat.
“Të gjithë ne në klub kemi pasur një muaj të vështirë. Ne duhet të përmirësojmë lojën tonë sepse Champions League është një kompeticion në të cilin gabimet nuk falen dhe Tottenham ka një ekip të fortë. Do të jetë e vështirë, por kjo ndeshje vjen në kohën e duhur për ne”, tha Pioli, në konferencën e sotme për media.
Tottenham humbi ndaj Leicester 4-1 në Premier League të shtunën, ndërsa trajneri i klubit londinez, Antonio Conte u rikthye në bankinë pas një pauze për shkak të një operacioni.























