Sherr brenda skuadrës së PSG-së, mësoni arsyen
RTSH
PSG po kalon momente të vështira. Pas eliminimit në Kupën e Francës dhe humbjes me Monacon mediat franceze, konkretisht ‘L’Equipe’, shkruajnë se harmonia brenda skuadrës pariziene nuk ekziston më.
Kimpembe u ka kërkuar falje tifozëve ultras të PSG për humbjet. Ndërsa Donnarumma është në qendër të kritikave dhe nuk është më i dëshiruar nga shokët e skuadrës. Shkak diskutimi është bërë sjellja e portierit italian ndaj tifozëve.
Marquinhos, në veçanti, i ka folur rëndë ish-portierit të Milanit, ndërsa Neymar është zënë me Luis Campos duke i folur shumë ashpër. Kështu pra PSG po kalon jo vetëm një krizë rezultatesh por edhe një mungesë harmonie brenda ekipit. Kjo situatë mund të ndikojë mjaft në ndeshjen e së martës kundër Bayern.
Duke parë situatën e krijuar, e megjithë paraqitjen e mirë të brazilianit në këtë sezon, PSG po mendon që ta shesë lojtarin. Por problem, siç ndodhi korrikun e kaluar, është paga e tij e lartë dhe situata kontraktuale e lojtarit. Neymarit i rinovohet automatikisht kontrata deri në vitin 2027, e ai është një nga më të paguarit në skuadër dhe asnjë skuadër evropiane nuk mund të marrë përsipër tani pagesën e tij.
Nga ana tjetër, skuadra pariziene dëshiron të mbajë Messin dhe Mbappen në skuadër, por rasti i ish-lojtarit të Barcelonës dhe shitja e tij e mundshme dominon sërish temat e bisedave në nivelet e larta të klubit.
Mes gjithë këtyre problemeve, PSG i gëzohet faktit që Mbappe është stërvitur normalisht me skuadrën dhe mund të luajë ndaj Bayernit. Edhe Leo Messi është konfirmuar për të qenë në formacionin kryesor.























