Mason Greenwood nuk do të luajë më për Unitedin këtë edicion
B. H. / RTKlive
Mason Greenwood nuk do të luajë për Manchester United këtë sezon derisa hetimet e brendshme në klub vazhdojnë, raportojnë shumë media angleze.
Anglezi 21-vjeçar u pezullua nga klubi pas arrestimit të tij në janar 2022 me akuzën për përdhunim, sjellje të dhunshme dhe kërcënime për vrasje, por policia së fundmi i hoqi të gjitha akuzat.
Edhe pse ai është "i pastër" para ligjit, klubi dëshiron të kryejë hetimin e tij për incidentet dhe akuzat ndaj futbollistit, një proces ky që mund të zgjasë me muaj, që do të thotë se Greenwood do të jetë jashtë skuadrës deri në fund të sezonit dhe më pas do të konsiderohet e ardhmja e tij.
Greenwood ka kontratë me Unitedin deri në vitin 2025 dhe është paguar vazhdimisht gjatë gjithë pezullimit të tij. Klubi mund të vendosë ta kthejë atë në stërvitje, por edhe t'i paguajë kontratën dhe ta lirojë nga klubi.























