Refuzohet ankesa e Prishtinës për ndeshjen me Dukagjinin
B.H. / RTKlive
Komisioni i Garave i FFK-së e ka refuzuar ankesën e FC Prishtina lidhur me rregullsinë e ndeshjes së javës së 19-të në Superligë, Dukagjini – Prishtina.
Kjo ndeshje u përmbyll me fitoren e skuadrës së Armend Dallkut, me rezultat 1:0, me autogolin e Mërgim Pefqelit. Ndonëse ky gol u shënua pasi gjyqtari vërshëlleu për faull, kjo nuk e ka ndryshuar epilogun e ndeshjes as në tavolinë. Komisioni i Garave e ka vlerësuar kërkesën e FC Prishtina për përsëritje të ndeshjes si të pabazuar dhe e ka regjistruar ndeshjen me rezultatin e arritur në fushën e gjelbër.
“Për Komisionin e Garave sipas nenit 71, paragrafi 1 të Regullores së Garave janë përmbushur të gjitha kushtet për administrim dhe vendimmarrje lidhur me ankesën. Komisioni i Garave në ecurinë e procedimit juridik të administrimit të provave dhe të vendimmarjes, ka kërkuar deklarata nga të gjithë zyrtarët e kësaj ndeshje, nga gjyqtari kryesor, gjyqtarët e tjerë në këtë ndeshje, gjyqtarët e dhomës së VAR-it si dhe nga personat zyrtar në këtë ndeshje, kontrollori, delegati, superkontrolla. Po ashtu Komisioni i Garave ka kërkuar Letërkonfirmimin edhe nga Komisioni vleresues i Gjyqtarëve dhe pas administrimit të gjitha shkresave një nga një si dhe të gjitha së bashku, e të cilat dëshmi kanë peshë dhe relevancë determinuese - përcaktuese në orientim dhe kahje të vendimmarrjes, kështu që sipas nenit 79 të Rregullores së Garave kemi shtatë (7) pika (raste) të shkeljeve esenciale të dispozitave të Rregullave të Lojës së Futbollit dhe rasti konkret, kontestues i kësaj ndeshje nuk mund të cilësohet (kualifikohet ) si shkelje esenciale. Prandaj, sipas nenit 79 të Rregullores së Garave refuzohet ankesa e FC Prishtina si e pabazuar dhe ndeshja e javës së 19-të ndërmjet KF Dukagjini - FC Prishtina, regjistrohet me rezultat të arritur në fushë 1:0 në favor të KF Dukagjini”, thuhet në vendim.
FC Prishtina ka të drejtë të ushtrojë ankesë në Komisionin e Apelit.























