Kosovare Asllani do që një ditë të jetë trajnere e Kosovës
BKT
Sport

Kosovare Asllani do që një ditë të jetë trajnere e Kosovës

Uran Krasniqi/RTKLive

Futbollistja e njohur me origjinë nga Kosova, Kosovare Asllani, ka treguar dëshirën që një ditë të jetë përzgjedhëse e Kosovës në kategorinë e femrave.

Me rastin e përvjetorit të pesëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës reprezentuesja e Suedisë po qëndron në Prishtinë. 

Ajo ka takuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin. 

"Në Ditën e Pavarësisë pata kënaqësinë ta presë në aeroportin "Adem Jashari" futbollisten tonë me famë botërore, Kosovare Asllani. Ajo vjen në atdheun e saj me epitetin e Ambasadores së Shpresës së Mirë të UNICEF-it, për të dhënë mesazhe në këtë ditë të veçantë për vajzat dhe gratë kosovare se suksesi arrihet me punë e përkushtim pa dallim gjinie. E përgëzova për karrierën e bujshme dhe për sukseset e arritura, pasi është bërë model për vajzat e reja kudo në botë. E nderova me figurën e Hyjneshës në Fron, si një Hyjneshë e Futbollit dhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës, si mbështetje për suksese të reja nga vendi i saj i origjinës. Ajo duke më uruar për Ditën e Pavarësisë më falënderoi mua dhe FFK-në për mikpritjen e ngrohtë dhe me përgëzoi për punën e mirë dhe të arriturat që kemi pas anëtarësimit në UEFA e FIFA. Po ashtu, Kosovarja shprehu dëshirën që pas përfundimit të karrierës ta ketë mundësinë që me tërë përvojën dhe dijenin e saj për futbollin të kontribuojë si përzgjedhëse e Kosovës. Kontributi i Kosovare Asllanit është i mirësardhur gjithmonë!", ka shkruar Ademi në Facebook.