Në 15 vjetorin e pavarësisë, presidentja Osmani ndan medalje |Video
BKT
Lajme

Në 15 vjetorin e pavarësisë, presidentja Osmani ndan medalje |Video

Donika Sherifi/ RTK

Personalitete që dhanë kontribut dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës, u nderuan me medalje presidenciale nga e para e shtetit, Vjosa Osmani. Në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se me këtë medalje nderohen personalitete vendore e të huaja, që përmes dëshmive të tyre treguan për mizoritë e luftës në Kosovës dhe për ata që ndihmuan në shtetndërtimin e vendit.

“Data të veçanta siç është 15 vjetori janë moment reflektimi për të kaluarën, tashmen dhe të ardhmen, kurse ne si institucione dhe shoqëri duhet të shprehim mirënjohjen dhe respektin për kontributin e secilit që ka dhënë për lirinë e vendit tonë. Këto personalitete të shquara me kurajo, përkushtim talent e guxim kanë lënë e po lënë gjurmë në shoqërinë tonë”, tha presidentja.

Sipas Osmanit, në mesin e të dekoruarve ka personalitete që u shndërruan në dëshmitarë të masakrave më të tmerrshme e makabre në Kosovë, derisa shumë prej tyre dëshmuan kundër Sllobodan Millosheviqit. Një nga dëshmitaret që u dekorua nga presidentja është edhe e mbijetuara e familjes Jashari, Besarta.

“Si e mbijetuar e betejës së familjes Jashari kam obligim ndaj familjes që të rrëfej të vërtetën për dhunën e llahtarshme, e mbi të gjitha për herozimin e familjes tonë përgjatë atyre tri ditëve, kjo medalje është frymëzim për mua të vazhdodj të rrëfej të vertetën. Zoti e bekoftë Kosovën”, tha Jashari.

Me medalje presidenciale për kontribut në shumë sfera u nderuan Saranda Bogujevci, shefat e njësive speciale operative, kapitenët Besart Ahmeti e Fatmir Balaj, togeri Adem Ribari, dëshmitari i masakrës së Reçakut, Ramë Shabani, Ferdonije Qerkezi, Fadil Muqolli dëshmitar i masakrës së Poklekut e shumë të tjerë.


MË SHUME NGA Lajme