Dihet se kush do të marrë çmimin e FIFA-s për futbollistin më të mirë
B. H. / RTKlive
Një javë para ndarjes zyrtare të çmimit “The Best” nga FIFA, ka rrjedhur informacione se kush do të shpallet futbollisti më i mirë në botë për vitin që e lamë pas.
Këtë e ka bërë të ditur gazetari Francis Aguilar, duke theksuar se ylli argjentinas Lionel Messi do të mundë dy konkurrentët e tjerë, Kylian Mbappe dhe Karim Benzema.
Lionel Messi me kombëtaren e Argjentinës fitoi Kupën e Botës në Katar.
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) do të shpallë zyrtarisht emrin e futbollistit më të mirë për vitin 2022 më 27 shkurt. Çmimi “The Best” nisi të jepej në vitin 2016 kur FIFA vendosi të ndahej nga “France Football” që jep “Topin e Artë”.
Më 10 shkurt, FIFA shkurtoi listën në tre futbollistë dhe ata janë Lionel Messi, Karim Benzema dhe Kylian Mbappe.
Cristiano Ronaldo fitoi dy çmimet e para “The Best” dhe në vitin 2018, Luka Modric ishte futbollisti më i mirë në botë. Lionel Messi e fitoi çmimin për herë të parë në vitin 2019, dhe për dy vitet e fundit ky çmim i takoi Lewandowskit.























