Çakës i besohet derbi Prishtina–Drita, Useini e Thaçi flasin para ndeshjes
BKT
Foto: FC Prishtina
Sport

Çakës i besohet derbi Prishtina–Drita, Useini e Thaçi flasin para ndeshjes

B. H. / RTKlive

Derbi i javës së 21-të në Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, i cili zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, në orën 13:00, do të drejtohet nga gjyqtari Dardan Çaka.

Kjo ndeshje do të zhvillohet pa praninë e tifozëve mysafirë, pasi për një gjë të tillë ka vendosur klubi kryeqytetas me rekomandimin e policisë për shkaqe sigurie. Ndonëse Prishtina nuk është duke kaluar në formë të mirë dhe ka pësuar dy humbje radhazi në nismë të stinorit pranveror, mbrojtësi i bardhekaltërve, Muhamed Useini është shprehur i bindur se skuadra e tij do të arrijë të fitojë në këtë ndeshje.

“Do të jetë ndeshje e vështirë kundër një kundërshtari të mirë, mirëpo sikurse në çdo ndeshje, edhe kësaj radhe do të futemi për më të mirën dhe shpresoj se tre pikë do të mbeten tek ne. Forca e një ekipi shihet atëherë kur reagon pas humbjeve, duhet reaguar për t’u rikthyer. Prishtina shumë shpejt do të rikthehet te fitoret dhe lojërat e mira”, ka theksuar Useini për faqen zyrtare të klubit. Ai ka thënë se motivi i skuadrës bardhekaltër është të kthehet te fitoret dhe aty ku e meriton.

Në anën tjetër, trajneri i Dritës, Arsim Thaçi, skuadra e të cilit në fundjavë realizoi fitore bindëse ndaj Dukagjinit, duke e ‘harruar’ humbjen befasuese nga Trepça’89 në nismë të stinorit, ka thënë se triumfi në fundjavë ka ndikuar që gjërat të shkojnë mirë si për të ashtu edhe për lojtarët.

“Prishtina është ekip i madh me histori në futbollin e Kosovës dhe do të qasemi me seriozitetin maksimal. Ne kemi analizuar Prishtinën dhe duke lënë anash humbjet e kundërshtarit, ne duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të bëjmë më të mirën në ndeshje. Lojtarët besoj e kanë kuptuar cili është qëllimi jonë. Çdo pikë e humbur për ne është e parikuperueshme”, ka theksuar Thaçi në prag të këtij dueli.

Krahas ndeshjes Prishtina-Drita, nesër zhvillohen edhe duelet Drenica-Gjilani dhe Malisheva-Ferizaj, teksa të enjten do të luhen ndeshjet Trepça'89-Ballkani dhe Dukagjini-Llapi.