Guardiola: Disa menduan se do të vinim në Leipzig dhe do të fitonim 4:0
B. H. / RTKlive
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, nuk është shprehur i zhgënjyer pas ndeshjes së parë me Leipzigun në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, e cila përfundoi baras 1:1.
Në vend të kësaj, ai u përpoq të analizonte logjikisht situatën që çoi në rezultatin përfundimtar, edhe pse City për më shumë se 50 minuta ishte në epërsi në stadiumin “Red Bull Arena”.
“Jam i kënaqur me tërë ndeshjen, jo vetëm me pjesën e parë. Është një kompeticion në të cilin janë eliminuar shumë skuadra serioze. Më vjen keq nëse disa njerëz prisnin që ne të vinim këtu dhe të fitonim 4:0. Ne nuk mund ta bëjmë këtë. Në pjesën e dytë nuk bëmë asnjë hap përpara dhe kundërshtarët tanë ushtronin presion edhe më shumë. Kemi pasur momente të mira në të dyja pjesët. Gjithsesi ky është një rezultat i mirë”, tha Guardiola.
Ndeshja e kthimit mes Manchester City dhe Leipzig do të luhet më 14 mars në Angli.























