Familja e Kobe Bryant dëmshpërblehet me 28.85 milionë dollarë
B. H. / RTKlive
Vanessa Bryant dhe tre vajzat e saj do të marrin 28.85 milionë dollarë si dëmshpërblim nga Departamenti i Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit për publikimin e fotove të trupave të pajetë të Kobe Bryant dhe vajzës së tyre Gianna, të cilët vdiqën nga përplasja e helikopterit në një shkëmb.
Policët dhe zjarrfikësit që ndodheshin në vendin ku ndodhi aksidenti fillimisht i shkrepën fotot me trupat e pajetë dhe më pas i shpërndanë ato në rrjetet sociale. E veja e Bryantit kishte marrë tashmë 15 milionë dollarë, por pas zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje, shuma po thuajse u dyfishua. Ajo dhe familjet e shtatë pasagjerëve tjerë, arritën më parë një marrëveshje konfidenciale me kompaninë përgjegjëse për helikopterin, kurse Chris Chester, i cili humbi gruan dhe vajzën e tij në aksident, mori 20 milionë dollarë dëmshpërblim në një padi të veçantë kundër Qarkut të Los Anxhelosit. Kur kësaj i shtohen edhe dy padi të veçanta prej 1.25 milionë dollarë secila me familjet e tjera, del që Qarku i Los Anxhelosit humbi më shumë se 50 milionë dollarë për shkak të skandalit të publikimit të fotove nga ky aksident. Avokati i Vanessa Bryant, Lewis Lee, tha se shpreson se kjo fitore në gjykatë “do të parandalojë që të përsëriten sjelljet e tilla në të ardhmen".























