Konjufca mirëpret raportin e FMN-së për Kosovën në lidhe me punësimin
M.Sh/RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka mirëpritur raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe statistikat tejet pozitive për Kosovën në lidhje me punësimin formal dhe rritjen më të madhe të të hyrave tatimore në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2020-2022.
Këto deklarata Konjufca i bëri gjatë takimit që zhvilloi me shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, Gabriel Di Bella. Në këtë takim moti pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Përveç tjerash, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin e deritanishëm dhe raportet e frytshme të Republikës së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe u shkëmbyen pikëpamje në lidhje me mundësitë zhvillimore, perspektivën dhe politikat ekonomike të shtetit tonë, njofton Kuvendi i Kosovës.
Me këtë rast, Konjufca vlerësoi kontributin e FMN-së dhe shprehu mirënjohje për ndihmën e vazhdueshme të këtij institucioni dhënë Republikës së Kosovës. Gjithashtu ofroi bashkëpunim të plotë të legjislativit në aspektin e kornizës rregullative e cila forcon stabilitetin financiar, disiplinën fiskale dhe avancon reformat ekonomike.
Ndërsa shefi i Misionit për Kosovën, Gabriel Di Bella e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Kuvendin dhe me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, njofton Zyra epër Informim e Kuvendit të Kosovës.























