Muriqi pas barazimit me Izraelin: Na pret rrugë e gjatë
F.Bytyqi/RTKLive
Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka folur pas barazimit me Izraelin.
Izraelitet dhe ‘Dardanët’ luajtën baras (1-1), sonte në Tel Aviv, në ndeshjen e parë kualifikuese për EURO 2024.
Muriqi pas ndeshjes tha se Izraeli i solli atij dhe bashkëlojtarëve probleme, duke shtuar se në ndeshjen e radhës kundër Andorrës ata do ta japin 100 për qindshin.
“Kishte shumë intensitet në ndeshje. Kjo bëri që ne ta humbim kontrollin paksa dhe ata na krijuan telashe. Na sulmuan shumë dhe patën disa raste. Duhet të kemi kontroll në lojë dhe ne duhet ta kemi intensitetin e lojës në dorë. Sot e mbyllim këtë kapitull. Tani duhet të kthehemi në Kosovë dhe të martën të dalim me 100 për qind kundër Andorrës. Kemi mundësi për përmirësim. E dimë pozitën e Andorrës, por me gjithë respektin, do të punojmë”, theksoi Muriqi.
Ai është vetëdijshëm se Kombëtaren tonë e pret një rrugë e gjatë, por sipas yllit të Mallorcas, skuadra e tij nga nesër duhet të mendoj për sfidën e radhës.
“Na pret rrugë e gjatë, por nga nesër do të rikuperohemi për t’u bërë gati për ndeshjen me Andorrën”, tha Muriqi.
Kosova të martën në ‘Fadil Vokrri’ e pret Andorrën, në një ndeshje ku Kombëtarja jonë kërkon pikët maksimale.